Gërvalla: Pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është “tigër prej letre”

Dubrovnik, 8 korrik 2023 – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, e ka cilësuar Bashkimin Evropian (BE) “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.

Të shtunën, në panelin “Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik” të Forumit të Dubrovnikut, Gërvalla ka thënë se BE-ja nuk mund të garantojë paqe dhe siguri në Evropë, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

“Pyetja kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se është Bashkimi Evropian ai që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është se BE-ja nuk mundet. Nuk është në gjendje dhe e aftë të ofrojë siguri. Arsyet janë të qarta: nuk ka vullnet politik dhe ka shumë mospajtime brenda unionit. Pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ (tigër prej letre) në aspektin e sigurisë”, ka thënë ajo.

Shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka asnjë histori suksesi në parandalimin e luftërave të  shekullit të kaluar në Evropë.

“Tani ka një qëndrim të ri të fuqive të Unionit Evropian, i cili është i ngjashëm me atë të viteve 2014, 1939, 1991, 1992 e 1999, kur nuk ka pasur asnjë histori suksesi në përpjekjet për të parandaluar luftërat. Ne kemi nevojë për një strategji të re dhe njerëz të rinj që mund të gjejnë mënyrë për të përballuar sfidat në fushë të sigurisë”, është shprehur ajo.

Ministrja Gërvalla ka thënë se edhe agresioni i Rusisë në Ukrainë po nxjerr në pah problemet e Evropës. Ajo tha se në Evropën gjeografike ka ende vende që e ndihmojnë Rusinë dhe nuk kanë kurrfarë pasojash nga BE-ja. Ndonëse nuk e tha, ajo qartësisht iu referua Serbisë, e cila nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.

“Jemi rreshtuar qind për qind me Perëndimin kur bëhet fjalë për Ukrainën. Të tjerët që i kemi përreth po e ndihmojnë Rusinë në agresionin e saj për pothuajse dy vjet tashmë pa sanksione nga Bashkimi Evropian”, ka theksuar ajo.

(r.m.)