Prishtinë, 4 nëntor 2024 – Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë të hënën se nuk ka parë ndonjë shenjë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën mund të pësojë ndryshime pas zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.
“Jemi me fat që në SHBA kemi pasur mbështetjen e të dyja kampeve, pra të atij republikan dhe atij demokrat. Prandaj, nuk shoh asnjë sinjal që një gjë e tillë të ketë ndryshuar gjatë rrugës”, tha Gërvalla kur u pyet në një konference për media se çfarë pret në marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së pas zgjedhjeve atje të martën.
Në garë për të presidentin e ardhshëm amerikan janë Kamala Harris, nga Partia Demokratike, aktualisht nënpresidente, dhe Donald Trump, nga Partia Republikane dhe president nga viti 2017 deri më 2021.
Gërvalla tha gjatë konferencës së përbashkët në Prishtinë me ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Xavier Bettel, se Kosova do t’i forcojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara duke i kryer “detyrat e shtëpisë”.
“Duke çuar përpara agjendat e reformave dhe duke vendosur ligjin në çdo cep të Kosovës, duke luftuar krimin e organizuar, kështu forcohet partneriteti me SHBA-në. Nuk forcohet me fjalë dhe deklarata, por me punë konkrete”, tha ajo.
Administrata e tanishme amerikane, ku bën pjesë Harris, ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, si kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trump si president ka qenë dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
Për analistët në SHBA, situata nuk do të jetë aq e thjeshtë, megjithatë. Fillimisht, me luftën në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme dhe kontestin territorial në Detin e Kinës Jugore, Kosova nuk do të depërtojë lart në agjendë, sipas tyre.
Frank Wisner, ish-emisar i SHBA-së për statusin e Kosovës, tha për programin Expose të Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se problemi më i madh i Kosovës është mosmarrëveshja me Serbinë, e cila vazhdon të mos ia njohë pavarësinë, edhe gati 17 vjet pas shpalljes.
Wisner nuk pret ndonjë lëvizje në këtë drejtim, nëse Harris zgjidhet presidente.
David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias, ndan pikëpamje të ngjashme për Harrisin, pasi nuk pret ndonjë veprim domethënës prej saj në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Por, për Trumpin, pritshmëritë janë dukshëm më shqetësuese.
Të dy ekspertët druajnë se qasja e tij “transaksionale” mund të çojë në pasoja të paparashikueshme dhe potencialisht të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës.
Wisner nuk e përjashton mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin e saj të vazhdueshëm me Serbinë, duke e kujtuar një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijave etnike, e përfolur në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.
Phillips tha, po ashtu, se Trump e sheh ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për marrëdhëniet e saj të trazuara etnike dhe kjo, sipas tij, jo vetëm se do ta destabilizonte Kosovën, por do ta hapte Kutinë e Pandorës edhe në shtete të tjera multietnike të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina apo Serbia.