Gërvalla: Procesi i dialogut ka dështuar për shkak të Lajçakut

Prishtinë, 19 janar 2024 – Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka pasur sukses për shkak të të dërguarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak. Ajo ka thënë se Lajçaku ka hyrtë në këtë proces “pa strategji dhe pa vizion”.

“Ai ka hyrë pa strategji dhe pa vizion në këtë proces të dialogut dhe, si duket, i tillë do të largohet nga ky dialog kur t’i skadojë mandati”, ka thënë ajo, në një intervistë për RTK.

Gërvalla ka thënë se premtimet që i janë bërë Kosovës “nuk e kanë pasur vlerë as 24 orë, derisa ka shkuar Lajçaku në Beograd”.

“Banjska (sulmi terrorist i serbëve në Banjskë, më 24 shtator) është dëshmia më e mirë që Lajçaku e ka dështuar gjithë procesin e dialogut”, ka theksuar ajo.

Gërvalla ka qenë shumë kritike veçanërisht për zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell.

“Ka pasur vlerësime të ndryshme nga ana e institucioneve të BE-së, të cilat kanë çuar në një vlerësim të gabuar të asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë. Fakti që BE-ja, edhe pas deklaratave e rezolutave të Parlamentit Evropian, edhe pas deklaratave të ndryshme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, BE-ja, si institucion, pra ajo pjesë e institucioneve të BE-së që merret me politikën e jashtme të BE-së, konkretisht zyra e Borellit, nuk kanë arritur të japin verdiktin për atë që ka ndodhur në Banjskë”, ka thënë ajo.

Gërvalla i ka cilësuar të padrejta dhe absurde masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Jo vetëm për ne, por për një pjesë të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Ata (BE) nuk po dinë si t’i heqin, sepse nuk po dinë se për çfarë i kanë vënë ato”, është shprehur ajo.

(r.m.)