Gërvalla: Propozimi evropian për Asociacionin ka vlerë vetëm nëse shpie në marrëveshjen finale me Serbinë

Berlin, 2 nëntor 2023 – Ministria e Punëve të Jashmte të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova është ende në pritje të qëndrimit të Bashkimit Evropian ndaj sulmit terrorist të serbëve në pjesën veriore të Kosovës, më 24 shtator.

“Jemi në pritje të deklarohet për atë çka ka ndodhur në 24 shtator. Ende jemi në pritje dhe ende përgjigja që dëgjojmë është që ende nuk kemi përfunduar hetimet. Mendoj që do të duhet të ishin përfunduar kohë më parë, sepse dëshmitë janë shumë të qarta rreth asaj çfarë ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë. Akti i 24 shtatorit është kryer me metoda terroriste, ka qenë një përpjekje e hapur për aneksim të pjesës veriore, pra për pushtim të territorit të Kosovës, prandaj presim një deklarim shumë të qartë të Bashkimit Evropian dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian se përndryshe besimi për të ndërmjetësuar në negociatat me Serbinë është dobësuar shumë”, ka thënë ajo, në një intervistë për Radion Deutsche Welle.

Ministria Gërvalla ka thënë se propozimi evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është bazë e mirë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, pork a theksuar se propozimi ka vlerë vetëm nëse shpie në marrëveshe finale me Serbinë

“Ne e kemi një propozim të ri, një dokument të ri të Bashkimit Evropian. Në vija të trasha, ai ka një qasje krejt tjetër nga ajo e të kaluarës. Por, këto janë të gjitha gjërat që ne do t’i bisedojmë gjatë një procesi intensiv me Bashkimin Evropian dhe e gjithë kjo varet se a do të jetë ky propozim ajo që do të sjellë marëveshjen përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë apo jo. Nëse ky apo çfarëdo lloj dokumenti shërben vetëm për Kosovën, por nuk shërben për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë, atëherë ne jemi shumë skeptikë se sa i përshtatshëm është ai (propozimi) për t’u diskutuar”, është shprehur ajo.

Gërvalla ka thënë se është skeptike se Serbia do të nënshkruajë marrëveshjet me të cilat dy palët janë pajtuar verbalisht.

“… kryeministri (Albin Kurti) ka bërë një deklaratë të hapur dhe të sinqertë për nënshkrim të tri dokumenteve. Po atë ditë Serbia e ka refuzuar atë ofertë të kryeministrit tonë, të paraqitur përmes Bashkimit Evropian, prandaj një gjë e tillë tani është shtyrë për në të ardhmen. Se si do të ndodhë në të ardhmen dhe a do të ndodhë kjo në të ardhmen, mbeten pyetje të hapura”, është shprehur ajo.

(r.m.)