Gërvalla: S’mund të ketë Asociacion në kundërshtim me Kushtetutën

Prishtinë, 16 janar 2023 – Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, e ka përjashtuar mundësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Ajo ka theksuar se një qeveri e përgjegjshme nuk merr kurrë vendime që bien ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

“Cilado të jetë rrjedha e bisedave në Bruksel në kuadër të marrëveshjes finale, cilatdo të jenë konsesionet që edhe Serbia do të jetë e gatshme të bëjë në raport me të drejtat e minoriteteve në Serbi, e shumë e shumë tema të tjera, mbetet të diskutohen në kuadër të dialogut. Por, Asociacioni për të cilin palët janë marrë vesh në Bruksel, por për të cilin palët janë marrë vesh që të zbatohet vetëm pasi të ketë kaluar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nuk mund të zbatohet, sepse e shkel kushtetutën dhe një gjë që nuk do të duhej të bënte kurrë një Qeveri, është që të marrë vendime të cilat shkelin ligjet dhe kushtetutën e vendit”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka thënë se Kosova është e përgatitur për finalizim të procesit të dialogut me Serbinë dhe ka theksuar nevojën e intensifikimit të dialogut, në mënyrë që ai të përmbyllet sa më parë.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka bërë këto komente në konferencën e përbashkët për medie me ministren e Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, të hën në Prishtinë, duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kosova dhe Serbia, gjatë dialogut për normalizimin eraporteve midis tyre, në Bruksel, kanë arritur një marrëveshje mbi parimet për themelimin e asociacionit. Në marrëveshje thuhet se të drejtat dhe përgjegjësitë e Asociacionit duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Në  vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se disa elementre të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën dhe ato duhet të evitohen me statutin e Asociacionit. Dderi më tash kanë dështuar përpjekjet për hartimin e statutit të asociacionit, për shkak se pala serbe kërkon formimin e një asociacioni që do të ishte jashtë kornizave të Kushtetutës së Kosovës.

Serbia vazhdon të kërkojë me ngulm që Kosova ta formojë Asociacionin sipas masës së saj, ndërsa Qeveria e Kosovës është kundër çfafrëdo asociacioni nnë baza etnike që që do të cenonte rendin kushtetues e juridic të shtetit të Kosovës.

Javën e kaluar, Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se Kosova “duhet t’i përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se nga Qeveria e Kosovës pret që “të vendosë disa propozime në tryezë”.

Dialogu Kosovë – Serbi pritet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për  palët. Kosova thotë se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen reciproke, ndërsa Serbia kërkon një një “zgjidhje kompromisi”. Beogradi  asnjëherë nuk e ka deshifruar çfarë është ajo “zgjidhje kompromisi”, ndonëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë disa herë se “asnjëra palë nuk mund t’i fitojë të gjitha”.

(r.m.)