Tiranë, 6 tetor 2023 – Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nuk pranoi të komentojë sugjerimet e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që KFOR-i të marrë përsipër sigurinë në pjesën veriore të Kosovës.
Ajo i ka cilësuar të “pamatura” disa deklarata të Ramës dhe ka theksuar se sovraniteti i Kosovës nuk mund të diskutohet nga askush. Megjithatë, ajo ka thënë se Kosova nuk ka asnjë shtet më afër sesa Shqipëria.
“Veriu është pjesë e Kosovës, e një shteti sovran dhe të pavarur, dhe Kosova si e tillë është pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Sovraniteti i Kosovës nuk duhet të diskutohet nga askush. Nganjëherë ka deklarata që të bëjnë të habitesh shumë. Nuk do doja të komentoja kryeministrin e Shqipërisë dhe të ndikojë në thellimin e keqkuptimeve, sepse Kosova nuk ka asnjë shtet më afër sesa Shqipëria dhe bashkëpunimi është i jashtëzakonshëm. Pavarësisht deklaratave publike, ministritë tona, bizneset tona qytetarët tanë bashkëpunojnë në një rrafsh të jashtëzakonshëm si kurrë më parë, prandaj të gjithë së bashku do të duhej të flisnim më pak dhe të shihni si mund ti ndihmojmë situatës më shumë”, ka thënë ajo.
Ministrja Gëvalla e ka hedhur poshtë edhe idenë e Ramës për organizimin e një konference ndërkombëtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë.
“Nuk ka nevojë për konferenca paqeje. Konferencat e paqes janë bërë në kohën e luftërave ballkanike. Kosova nuk është objekt, por është subjekt. Kosova ka subjektivitetin e saj dhe si subjektivet Kosova merr pjesë në të gjitha forumet”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka bërë thirrje për një bashkërendim të qëndrimeve midis Kosovës e Serbisë.
“Bëj thirrje që, në vend të deklarimeve të pamatura, të bëhet një bashkërendim, një bisedim me i sinqertë për të zgjidhur situatat”, është shprehur ajo.
(r.m.)