Prishtinë, 5 shkurt 2024 – Eksperti i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha se Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila ndalon pagesën me valuta të tjera përveç euros, është vendim i duhur por në kohë të gabuar.
“Mendoj se ka qenë një vendim i duhur në rrethana dhe kohë të gabuar. Paramendojeni, ju jeni nën masa dhe sanksione të Bashkimit Evropian dhe e elektrizoni situatën në Kosovë. Vërtet, një gabim që do t’i kushtojë qytetarëve të Kosovës. Lind pyetja kush do të mbajë përgjegjësi për një prolongim të sanksioneve falë një eksperimenti të tillë”, tha Gërxhaliu në emisiomin “Tempus“ në Kohavizion.
Ai theksoi se dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës është prishja e marrëdhënieve me ndërkombëtarët.
“E tëra kjo besoj që do t’i shkojë në favor Serbisë. Në aspektin diplomatik, Kosova po i humb miqtë dhe shtetet që e kanë mbështet pavarësinë”, deklaroi Gërxhaliu
(r.m.)