Nga Keze Kozeta Zylo
Një telefonatë nga bashkëshortja fisnike e Eduardit, Lida, e cila na ftoi për 65 Vjetorin e Ditëlindjes dhe pensionin e tij, në datën 5 Gusht. Shshshsh!… na porsiti se do t’ja bëjmë surprizë bashkë me vajzat. E meriton tha Qemali qe t’i organizoni festën me miqtë dhe shokët e tij.
Gjithë të ftuarit erdhën të gëzuar dhe me respektin e madh për të qenë pjesë e këtij gëzimi jubilar për familjen Dilo. Ndërsa vajzat e tij simpatike dhe të edukuara Anxhela dhe Julia lajmëruan të pranishmit se babi është duke ardhur. Fiken dritat dhe në derë mbërrin Eduardi i shoqëruar nga Lida e cila nuk i përmbajti dot emocionet, kur të gjithë njëzëri thirrën surprizë, ndërsa në veshin tim vinte si një muzikë e ëmbël mjaltë, thirrja e mbesës së tij bukuroshe Olivias dhe nipit Leonit të cilët kishin hapur duart dhe thoshnin surprizë Gjyshi, gjyshi surprizë!
Urimet dhe dhuratat ishin prej zemre dhe shpirti për këtë çift të mrekulluëshëm, ndërsa një buqetë me trëndafila të freskët iu dhurua nga Xhemalije Kajushi mike e familjes së tyre.
Filluan këngët dhe vallet sipas traditës së bukur që kemi dhe zakonet tejet të hijshme.
I pari dhe i fundit që ishte në krye të valleve dhe të këngëve ishte krushku i Eduardit z. Gjekë Lumaj i cili me plot çiltërsi dhe dashuri uronte Edin për këtë mbrëmje të bukur. Natyrshëm pasuria e këngëve me tekstet e bukura nga z. Gjekë e bënin dhe më të hareshme dhe më të gjallë mbrëmjen. Shtatorin e kaluar djali i tij Emiljani bashkë me vajzën e Edit, Julian, lidhën kurorën një lidhje Veri-Jug, si lisat me rrënjë që s’do të shkulen kurrë, mot pas moti.
Festa familjare u organizua në një ndërtesë historike 100-vjeçare në zonën ujore të qytetit, në Hudson River, Yonkers. Restoranti “Zuppa”, ndodhet në këtë godine, ish fabrika e shtypshkronjës “Gazette” e cila përmban dritare të mëdha, tavane 14 këmbësh, dysheme druri origjinale dhe mure me tulla. Krenari që këtë restorant e ka në bashkëpronësi dhe një shqiptar me emrin Edi. Shikoja pikturat në mure, të cilat më kanë tërhequr gjithë jetën, por pa i ndalur sytë dhe tek druri i vjetër, lartësia e mureve etj. Shtypshronja u ndërtua në vitin 1890, në shekullin dhe dekadën qe lindi Burri i ndritur i Kombit, Ilia Dilo Sheperi. Historitë ngjajne ndaj dhe tregohen. Botuesit e shtypshkronjës “Gazette” si dhe Ilia Dilo Sheperi kishin të përbashkët penën e artë dhe publicistikën, ndonese për dy kombe te ndryshme, por me emërues dashurinë e zjarrtë për kulturën dhe Atdheun.
Le ta ngremë këtë gotë vere tha z. Qemal Zylo për ta uruar mikun tonë të përbashkët
z. Dilo për ditëlindjen jubilare dhe pensionin. Është kënaqësi dhe krenari që ne jemi së bashku sot këtu. Bashkë na lidhi emigracioni këtu në New York dhe jemi njohur në Globe Institute of Technology, Manhattan me Eduardin. E kishja studentin tim, kur jepja lëndën e kompjuterit, por kuptoja se pasioni i tij ishte letërsia, arti, jo lëndët teknike… Qemali solli nje fragment plot humor nga kolegji dhe tregoi se në klasë ishim në marrëdhënie: Profesor- student, jashtë ishim miq. Njëkohësisht përmendi se Eduardi ka pasur një fëmijëri të dhimbshme dhe ky ishte shpërblimi nga diktatura që morën fëmijët dhe nipërit e intelektualit erudit të Kombit, Babait të Gramatikës së Gjuhës Shqipe Ilia Dilo Sheperi, “Nderi i Kombit”, “Mësues i Popullit”. Në “Memorandumin” drejtuar Patriarkanës së Stambollit dhe të shtetit fqinj që e dënuan me vdekje, si patriot i madh iu përgjegj me këto fjalë: “Edhe po të më vrisni, edhe po të më therrni, në fytin tim do të lexoni Alfabetin Shqip”.
I Ati i tyre Margariti pas mbarimit të shkollës së Fullcit në Tiranë, punoi si mësues në Sheper dhe në Ballaban të Përmetit. Më vonë vazhdoi studimet e larta në Athinë për matematikë, dhe më pas u burgos nga diktatura dhe vdiq me brenga dhe tortura. Xhaxhai i tyre provoi tmerrin e birrucave dhe të kampeve famëkeq të Kënetës së Maliqit dhe Spaçit. Gjyshin Ilia Dilo Sheperin e zhvarrosën dhe i hoqën zvarrë eshtrat rrugëve të fshatit. Xhaxhain tjetër Doktor Veterinar Mihal Dilo e shpallën “armik të popullit”, ndërsa më vonë vritet dhe masakrohet duke i nxjerrë sytë dhe prerë kokën tek pragu i shtëpisë nënë Kalopit, bashkëshortes së doktor Mihalit. Nëna e tyre Viktoria Xhamballo Dilo, edhe pse motra e dy dëshmorëve u keqtrajtua tmerrësisht.
Në Amerike kanë pasur dy xhaxhallarë, intelektualë dhe politikanë klasi, Dr. Jani Dilo dhe Dr. Oresti Dilo.
Eduardi vazhdon të jetë aktiv, ka qenë në Bordin e Federates Panshqiptare “Vatra” dhe ka botuar disa libra me poezi dhe histori të pasur nga familja e tij e madhe, së bashku me vëllain e tij Yllin, një publicist i njohur dhe plot kulturë. Shpresoj se në kapitullin tjetër të jetës do të jetë dhe më aktiv në Komunitet dhe do të dëgjohet dhe më shumë zëri i tij pasi të gjithë së bashku kemi nevojë për njeri tjetrin, por mbi të gjitha Kombi.
Në fund të mbrëmjes u pre torta e ditëlindjes dhe e pensionit duke i kënduar këngën e traditës: Shumë urime për ty! Gjithmonë kur vijnë ditëlindjet tona apo të miqve mendoj që nuk je një vit më i madh nga vjet, por je një vit më i mire dhe i gëzuar që je pranë familjes, fëmijëve, shoqërisë, nipit dhe mbesës.
E natyrshëm nëpërmjet këtij shkrimi unë e uroj përsëri:
Gëzuar 65 Vjetorin dhe pension të mbarë z. Eduard Dilo!
6 Gusht, 2023
Yonkers, New York