Nga Keze Kozeta Zylo
Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare!
Gëzuar Familja e Madhe “Alba Life”!
17 VITE SHQIP NËPËR NEW YORK DHE NË ONLINE
Do punoj për Mëmëdhenë,
gjithë jetën sa të rroj,
do t’i zgjoj edhe ata që flenë
kështu jetën ta mbaroj…
Kur në klasa, auditoriume, skena interpretohet Gjuha Shqipe e Naimit, Fishtës te cilet na frymëzojnë përjetësisht kam besuar se Zoti është ulur pranë dhe ka prekur zemrat e vogëlushëve për mos ta harruar kurrë Gjuhën Shqipe.
21 shkurti është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare shpallur nga UNESCO dhe në 2007 nga OKB-ja.
Kudo zhvillohen aktivitete të ndryshme në të gjithë botën, por më shume se cdo shtet duhet të zhvillojë Shqipëria, trungu amë, Kosova dhe të gjitha trevat shqiptare. Kjo për shumë e shumë arsye, por arsyeja më themelore është sensibilizimi që duhet të bëhet, sepse eshte alarmante humbja e Gjuhës Shqipe ndër mijëra e mijëra fëmijë emigrantësh që lindin jashtë trojeve shqiptare. Zëri ynë për Gjuhën Shqipe nga ALBA LIFE ka qenë sensibilizues në media, në klasa, tek prindërit para Kombit.
Po sjellë me krenari të ligjshme disa foto nga puna dinjitoze dhe plot përkushtim e mësuesëve të nderuar të Shkollës Shqipe “Alba Life”, e cila ka 17 vite që jep mësim shqip fëmijëve emigrantë në Diasporë në të gjitha qytetet e Nju Jorkut dhe në Online.
Ata janë pasuria e Diasporës dhe e Kombit.
Ne frymëzohemi nga korifejte e Gjuhes Amtare si Ilia Dilo Sheperi i cili ishte kërcënuar nga shovinistët grekë dhe pasi ishte ‘’mallkuar’’ nga Patrikana e Stambollit për atdhetarizmin e tij të kulluar tha:
‘’Edhe po të më vrisni, edhe po të më therrni, në fytin tim do lexoni Alfabetin shqip’’.
Ata bëhen barrikadë që të mos e humbasin tëfolurin dhe të shkruarin Shqip, sepse sic do tëthoshte Papa Kristo Negovani “Shkronjat e bëjnë kombin të quhet komb”, dhe vazhdonte me tej: “Po të mos kemi shkronjat shqip, dituria e kombeve të tjera do të na mbysë, nuk do të dëgjohet me fjala shqipëtar e shqip”.
Papa Kristo Negovani të cilin, kur bandat shoviniste greke të sjellë nga dhespoti e vranë me sopata e hanxharë tha: “Vramëni, por gjakun mblidhmani për bojë që të shkruajnë nipat gjuhën shqipe”.
Nga këta patriotë të ndritur gjejmë vetëm frymëzimin dhe e pamundur te ndalemi në misionin tonë, sepse zëri shqip i Gjerasim Qiriazit vazhdon të kumbojë si:
Do punoj për Mëmëdhenë,
gjithë jetën sa të rroj,
do t’i zgjoj edhe ata që flenë,
kështu jetën ta mbaroj…
21 Shkurt, 2024
NEW YORK