Një mbrëmje midis miqve tanë dibranë
Nga Kozeta Zylo
Në Nino’s Restaurant në Staten Island u mblodhëm së bashku me familjen, miqtë, të afermit, shokët e Agim Pirës për të festuar daljen në pension të tij. Ishte një e diel e veçantë, ditë feste dhe gëzimi në familjen e Pirës. Kishin ardhur nga Tirana vëllai i Agimit së bashku me bashkëshorten e tij mësuese Fatrien, burri i motrës nga Michigami Dr.Sabriu për të cilin shumë dibranë flisnin fjalë miradie për shërbimet mjekësore që iu ka bërë në familjet e tyre.
Fjalën e hapjes e mbajti i biri i tij Ani i cili më bëri të lotoja, kur foli për sakrificat e të atit në emigrim sidomos për shkollimin e lartë të katër fëmijëve të tij dhe doemos janë krenari për ne. Po aq krenare ndihej dhe Eriola e bija e cila falënderoi pjesëmarrësit dhe e uroi të Atin për gjithçka që ka bërë në rritjen e tyre. Z. Pira falënderoi familjen, bashkëshorten fisnike mësuese Minen, fëmijët për organizimin e darkës si dhe të gjithë miqtë pjesëmarrës në këtë mbrëmje. Përshëndetën vëllai, miq, shok dhe të aferm të Agimit si Ali Pira, Dr. Sabriu, Elmaz Xhemallari etj duke e uruar për fillimin e mbarë të një kapitulli tjetër të jetës aktive të një pensionisti.
Qemal Zylo përshëndeti në emër të grupit të shokëve të ngushtë të Agimit, Përparimit dhe Violetës duke kujtuar ndonjë episod të shkurtër në marrëdhëniet tona shoqërore dhe duke e mbyllur se: “Dalja në pension nuk është fundi i rrugës, por fillimi i autostradës së hapur, dhe lum ai qe e gëzon pensionin. Agim Pira e mbylli karierën e tij si ushtarak në Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe emigroi në Amerike me familjen e tij”.
Mbrëmja kaloi plot hare dhe mirësi me këngët dhe vallet tona të traditës së mrekullueshme shqiptare nën kujdesin e muzikantit z. Pirro. E veçantë dhe kombëtare është vallja rreth Hajredin Pashes që la kockat në malet e Dibrës si: “Hajredin Pasha ku e ke o ushtrinë/ Malet e Dibrës o mor’ mi kan’ gri/ N’Malet e Dibrës o kanë mbet të tanë/ E nuk janë pak o mor po 12000 mijë”.
Vallja u hoq nga i vëllai i tij Aliu plot mjeshtëri si një profesionist i vërtetë. Qershia mbi tortë ishte nipi I Agimit Ian Kulla I cili gëzonte dhe kërcente për gjyshin që e do aq shumë.
Kaluam nje mbrëmje të këndshme midis dibranëve në festimin e pensionit të mikut tonë Agim Pira.
Pension të mbarë dhe gëzime paçi gjithmonë në familjen tuaj Agim Pira!
25 Shtator, 2022
Staten Island, New York