Prishtinë, 28 shtator 2021 – Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sovraniteti i Kosovës është i pacenueshëm, ka thënë i ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe.
Ai ka theksuar se dialogu “është mënyra e duhur” për uljen e tensioneve dhe për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Serbinë.
Diplomati amerikan e ka shprehur këtë qëndrim të Uashingtonit zyrtar të martën, në takimin që ka pasur me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku ka qenë temë kryesore situata në pjesën veriore të Kosovës pas aplikimit të reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.
Presidentja Osmani, siç njofton kabineti i saj, ka thënë se Serbia po bën përpjekje për destabilizimin e Kosovës. Ajo ka thënë se veprimet e ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës janë pjesë të përpjekjeve ruse e serbe për zhbërjen e të arriturave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s në Kosovë dhe në rajon.
Zonja Osmani citohet të ketë thënë se “vendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me targa është i ligjshëm”.
Ajo ka theksuar se zbatimi i kësaj mase është në përputhje të plotë me Marrëveshjen e dakorduar në Bruksel, e cila nuk është zbatuar nga ana e Serbisë.
Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për sundimin e rendit e ligjit dhe për sigurinë e mirëqenien e të gjithë qytetarëve.
Ajo ka thënë gjithashtu se Kosova është e përkushtuar për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si palë plotësisht e barabartë.
(r.m.)