Nëse fiton, ai do të jetë shqiptaro-amerikani i parë që zgjidhet këshilltar bashkiak në Texas
Nga Ruben Avxhiu
Gino Mulliqi është një veprimtar shqiptar në Texas që po kandidon për vendin e gjashtë në këshillin e ardhshëm bashkiak të qytetit Wylie, në Texas.
Kjo nuk është hera e parë që ai aktivizohet në forume e institutcione amerikane. Aktualisht ai shërben si Sekretar i Bordit të Korporatës për Zhvillim Ekonomik të Wylie-t (WEDC), ku ka shkëlqyer me punën e tij.
Wylie është një qytet dhe rrethinë e metropolit Dallas, një zonë me një numër në rritje të shqiptarëve.
Mulliqi është shumë aktiv me Shoqatën Kulturore Shqiptaro-Amerikane, në Teksas, ku ka shërbyer gjithashtu në rolin e Sekretarit.
Nëse fiton, Gani Mulliqi do të jetë shqiptaro-amerikani i parë që zgjidhet këshilltar bashkiak në Texas.
Në një mesazh mbështetje për kandidaturën e tij, bashkatdhetari Doc Vranici shkruan ndër të tjera:
“Kam shërbyer me Gino-n në organizatën tonë lokale shqiptaro-amerikane ku ai udhëhoqi përpjekjet duke arritur një sukses të madh. Aftësitë e tij e shndërruan organizatën tonë si kurrë më aprë. Tani do të jetë qyteti Wylie do të shkëlqejë nga aftësitë e tij udhëheqëse dhe etika e lartë e punës. Personaliteti dhe profesionalizmi i tij janë në zemër të aftësive që ka për të negociuar marrëveshje të mëdha dhe pajtime mes palëve në konflikt”.
“Jam krenar që e mbështes si shok dhe si bashkatdhetar shqiptaro-amerikan”, shkruan ai.
Fjalë të ngjashme zemërdhënëse shkruan edhe veprimtarja e njohur Pranvera Selenica Haxhillari: “Kam pasur nderin të bëj punë vullnetare me kandidatin Gino Mulliqi, me shpresë shqiptaro-amerikani i parë që zgjidhet në një këshill bashkiak në Texas”. Ajo e lavdëron atë për zgjuarsinë, për aftësinë për t’i tejrealizuar synimet.
“Ai këmbëngul në mënyrë vetëmohuese përballë çdo sfide dhe gëzon respektin maksimal nga të gjithë”, shkruan ajo.