Stamboll, 13 nëntor 2022 – Të paktën gjashtë vetë e humbën jetën dhe 81 u plagosën nga një shpërthim në një rrugë të ngarkuar në lagjen Taksim, në qendër të Stambollit, të dielën.
Presidenti turk Recep Tajip Erdogan tha se shpërthimi dukej të ishte sulm terrorist.
“Përpjekjet për të mposhtur Turqinë dhe popullin turk përmes terrorizmit do të dështojnë,” tha zoti Erdogan në një konferencë për shtyp.
Pamje filmike të siguruara nga agjencia e lajmeve Reuters tregojnë momentin e shpërthimit. Disa orë pas shpërthimit, Nënpresidenti Fuar Oktar dhe Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu vizituan vendin e ngjarjes.
Zoti Oktay tha se numri i të plagosurve kishte arritur në 81 ndërsa përsëriti se 6 të tjerë kishin humbur jetën në shpërthim. “Ne do ta zgjidhim këtë çështje shumë shpejt”, tha ai për gazetarët.
Ambulancat nxituan në vendngjarje në rrugën Istiklal, të cilën policia e bllokoi me shpejtësi. Zona që ndodhet në qytetin më të madh të Turqisë, ishte e mbushur me blerës, turistë dhe familjarë.
Televizioni shtetëror TRT dhe agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu thanë se shkaku i shpërthimit nuk dihej ende.
“Kur dëgjova shpërthimin ngriva, njerëzit ngrinë, duke parë njëri-tjetrin. Pastaj njerëzit filluan të vraponin. Ç’mund të bënin tjetër?,” tha 45 vjeçari Mehmet Akus, një punonjës në një restorant në Istiklal.
“Të afërmit më telefonuan, ata e dinë që unë punoj në Istiklal,” tha ai.
Stacioni lokal i policisë i tha agjencisë Reuters se të gjitha skuadrat ishin në vendngjarje, por nuk dhanë detaje të mëtejshme.
Mediat lokale thanë se hetuesit e krimit ishin në vendngjarje dhe agjencia Anadolu njoftoi se zyra e kryeprokurorit publik të Stambollit kishte nisur një hetim mbi shpërthimin.
Stambolli dhe qytete të tjera turke kanë qenë në shënjestër në të kaluarën nga separatistët kurdë, militantët islamikë dhe grupe të tjera.
“Ngushëllimet e mia për ata që humbën jetën në shpërthimin në bulevardin Istiklal”, tha kryebashkiaku Ekrem Imamoglu në Twitter.
Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Stambolli dhe qytete të tjera turke kanë qënë objektiv i sulmeve të seperatistëve kurdë, militantëve islamikë dhe grupeve të tjera, përfshirë një seri sulmesh në vitet 2015 dhe 2016.
(Zëri i Amerikës)