Çikago (Illinoi, SHBA), 4 korrik 2022 – Pesë persona u vranë dhe të paktën 24 të tjerë u shtruan në spital pas një sulmi me armë zjarri në një rrugë ku po mbahej një paradë me rastin e katër korrikut, në Highland Park, në periferi të Çikagos.
Dëshmitarët thanë se kishin parë trupa të gjakosur të mbuluar me batanije, ndërkohë që qindra njerëz vraponin për t’iu larguar rrezikut.
Gazeta “The Chicago Sun-Times” raportoi se parada filloi rreth orës 10 të paradites, por u ndërpre papritur pas vetëm 10 minutash, pasi filluan të shtënat me armë.
Qindra pjesëmarrës në paradë, disa qartësisht të gjakosur, iu larguan trajektores së paradës, duke lënë pas karrige, karroca fëmijësh dhe batanije.
Policia u bëri thirrje njerëzve të largohen, duke paralajmëruar se zona nuk ishte e sigurt.
Në një video të filmuar nga gazetari i “The Chicago Sun-Times” pasi filluan të shtënat, shfaqet një grup muzikor që vazhdon të luajë muzikë mbi një platformë të lëvizshme, ndërkohë që njerëzit vrapojnë duke bërtitur. Në një foto të publikuar në mediat sociale shihen pellgje me gjak nën karriget e përmbysura në Highland Park.
Gina Troiani bashkë me djalin e saj ishin rreshtuar me fëmijët e kopshtit për të ecur përgjatë trajektores së paradës, kur dëgjoi një zhurmë të lartë. Ajo mendoi se ishin fishekzjarre, derisa i dëgjoi njerëzit që thërrisnin se kishte një sulmues të armatosur.
“thjesht, filluam të vraponim në drejtimin e kundërt”, i tha ajo agjensisë së lajmeve Associated Press.
Djali i saj 5-vjeçar po i jepte biçikletës së tij të dekoruar me shirita me ngjyrë të kuqe dhe blu. Ai dhe fëmijët tjerë të grupit mbanin flamuj të vegjël amerikanë. Zonja Troiani tha se shtynte biçikletën e të birit, ndërsa vraponin përmes lagjes për t’u rikthyer tek makina e tyre.
Në një video që zonja Troiani e filmoi me telefonin e saj, shihen disa nga fëmijët e befasuar nga zhurma e madhe që mblidhen në njërën anë të rrugës, ndërsa një sirenë dëgjohet aty pranë.
“Ishte thjesht një lloj kaosi”, tha ajo.
“Kishte njerëz që u ndanë nga familjet e tyre dhe i kërkonin. Të tjerët thjesht hodhën karrocat me sendet e tyre, i kapën fëmijët e tyre dhe filluan të vrapojnë”, tha zonja Trojani.
Guvernatori i shtetit Illinoi, J.B. Pritzker, në një postim në Twitter, tha se ai “po monitoron nga afër situatën në Highland Park” dhe se Policia e Shtetit e Illinoit është duke ndihmuar.
Zyra e Sherifit të Qarkut Lake tha në Twitter se po ndihmon policinë e Highland Park për “të shtënat në zonën e rrugës së paradës së Ditës së Pavarësisë”. Zyra e sherifit udhëzoi një gazetar të agjensisë së lajmeve Associated Press që të kontaktonte policinë në Highland Park.
Departamenti i Policisë tha se asnjë zyrtar nuk ishte në dispozicion të menjëhershëm për të diskutuar incidentin.
Debbie Glickman, një banore në Highland Park, tha se ajo ishte në një paradë bashkë me kolegët e saj dhe grupi po përgatitej të kthehej në rrugën kryesore kur pa njerëz që vraponin nga zona.
“Njerëzit filluan të thonë: ‘Ka një sulmues, ka një sulmues, ka një sulmues”, tha zonja Glickman për agjensinë e lajmeve Associated Press.
“Kështu që ne, thjesht, vrapuam. Thjesht vrapuam. Është si një kaos masiv atje poshtë”, tha ajo.
Zonja Glikman tha se nuk dëgjoi asnjë zhurmë dhe nuk pa askënd që dukej se ishte i plagosur.
“Jam shumë e trembur”, tha ajo.
“Është shumë e trishtueshme”, theksoi zonja Glikman.
(Zëri i Amerikës)