Prishtinë, 13 shtator 2024 – Policia e Kosovës njoftoi se gjatë bastisjeve të kryera të enjten në filialin e Bankës Popullore të Serbisë dhe në degën e Thesarit të Serbisë në Leposaviq janë sekuestruar rreth 6 milionë dinarë të Serbisë, 57 mijë dollarë amerikanë dhe 10 mijë euro.
“Lidhur me rastin, më 12.09.2024 njësitet policore kanë kryer kontroll në dy lokacione, nën dyshimin se institucionet financiare kanë kryer veprat e cekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar; 5,772 313.00- dinarë serbë, 57,626.00-dollarë amerikanë, 10,835.00-euro, 2,790.00 franga zvicerane, dy shtëpiza kompjuteri dhe dy DVR të kamerave të sigurisë”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Në raport thuhet se gjatë bastisjes janë sekuestruar edhe disa vula dhe dokumente të ndryshme që dëshmojnë operimin e kundërligjshëm të këtyre institucioneve në Kosovë.
Të enjten, Policia e Kosovës njoftoi se bastisjet në këto dy institucione financiare të Serbisë, të cilat kanë operuar ilegalisht në Kosovë, janë kryer në vazhdën e hetimeve për veprat penale “shpërlarje parash” dhe “keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”.
“Lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë kryer në konsultim e në koordinim me prokurorin e shtetit”, thuhet në raportin e policisë.
(r.m.)