Gjeka: Koalicioni i ri qeverisës në Mal të Zi do të udhëhiqet nga vlerat euro-atlantike

Podgoricë, 1 nëntor 2023 – Fatmir Gjeka, ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Qeverinë e re të Malit të Zi, tha se koalicioni i ri qeverisës do të udhëhiqet nga vlerat euro-atlantike.

Ai ka thënë se forcat politike që konsiderohen si pro-serbe, përmes deklaratës së nënshkruar me subjektet pro-evropiane, përfshirë edhe ato shqiptare, janë zotuar se tash e tutje do t’i mbështesin vlerat euro-atlantike.

“E kam parë reagimin e opinionit publik shqiptar. 75 për qind e qytetarëve të Malit të Zi janë pro Bashkimit Evropian. Një hap është bërë mbrëmë kur subjektet që deri dje janë targetuar si subjekte proserbe e kanë nënshkruar një marrëveshje me të gjitha subjektet e koalicionit qeveritar që prej tani do të mbështesin vlerat euro-atlantike”, ka thënë Gjeka.

“Koalicioni nuk është pro-serb. Kjo është qeveri e dominuar nga fryma evropiane. Kryetari i Parlamentit është pjesë e subjekteve pro-serbe, por, me një deklaratë, ka premtuar se do bëjë një hap përpara”, ka shtuar ai.

Gjeka ka thënë se të gjitha subjektet politike shqiptare, pavarësisht nga dallimet, kanë një vision të vetëm – integrimin në Bashkimin Evropian.  

“Ne shqiptarët këtu mendojmë me një kokë, e kemi një vizion, e ky është anëtarësimi në BE. Gjithë Ballkani aspiron të bëhet pjesë e BE-së, por Mali i Zi ndoshta do jetë shteti i parë që do anëtarësohet në BE”, ka thënë ministri Gjeka.

(r.m.)