Gjenden edhe trupat e nënës dhe djalit të saj, të mbytur në lumen Buna

Shkodër, 7 maj 2024 – Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë njoftoi se të martën në lumin Buna zhytësit e forcave operacionale tӕ policisë i kanë gjetur edhe trupat e pajetë të Alma Arrazit dhe të djalit të saj 3 vjeçar. Dy vajzat e saj, njëra 8 vjeçare dhe tjetra 9 vjeçare, janë gjetur të dielën dhe të hënën.

“Pas përpjekjeve të pandërprera triditore është bërë e mundur gjetja e të katër trupave, të mbytur në lumin Buna, nënës dhe 3 fëmijëve”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Ai ka thënë se kjo ngjarje e rëndë tragjike e ka tronditur gjithë shoqërinë shqiptare.

“Një ngjarje tragjike, që tronditi gjithë shoqërinë. Ngushëllimet më të ndjera familjarëve në këtë moment të dhimbshëm!”, ka shruar Peleshi në Facebook.

Dyshohet se Alma Arrazi është vetëmbytur në lumin Buna, bashkë e tre fëmijët e saj të mitur.

Alma, bashkë me tre fëmijët e saj, ishte larguar nga banesa ku jetonte, në Shkodër, më 2 maj, ndërsa policia kishte filluar operacionin e kërkimit pasi bashkëshorti i saj dhe babai i tre fëmijëve të saj, Ergys Arrazi, i kishte raportuar si të zhdukur.

Për vdekjen e tyre, Prokuroria e Shkodrës ka nisur procedim penal ndaj bashkëshortit-babait Erdgys Arrazin, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “shkaktim i vetëvrasjes si pasojë e dhunës së ushtruar”.

“Deri në këtë fazë të hetimit janë krijuar dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se shtetasi E.A., si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij – shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj – ka shkaktuar vetëvrasjen e 39-vjeçares, e cila në gjendje të rënduar psikologjike, dyshohet të jetë hedhur në lumë bashkë me tre fëmijët e mitur”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shkodrës.

Të martën, Gjykata e Shkodrës ia caktoi atij masën e arrestit me burg, pasi vlerësoi se si, me veprimet e tij, e kishte shtyrë deri në aktin e vetëflijimit bashkëshorten e tij bashkë me tre fëmijët. Prokuroria tha se i dyshuari kishte ushtruar dhunë të vazhdueshme psikologjike ndaj tani të ndjerës.

Problemet në çift dyshohet se lindën si pasojë e një lidhjeje jashtëmartesore të 31-vjeçarit.

Të afërm të Alma Arrazit kanë thënë se ajo “prej vitesh vuante për shkak të fyerjeve dhe gjuhës denigruese ndaj saj si dhe përballjes më tradhtinë”.

Sipas motrës së saj, bashkëshorti i kishte kërkuar Almës të largohej nga shtëpia, “ndërsa fëmijët do t’i mbante ai dhe do të niste një jetë të re”.

(r.m.)