Tiranë, 2 korrik 2022 – Zona veriore e Shqipërisë e ka përqendruar aktivitetin ekonomik kryesisht në sektorin e buqësisë dhe blegtorisë. Në bashki të tilla të vogla si Hasi, Tropoja, Kukësi, Puka, Vau-Dejës apo Malësia e Madhe pjesa më e madhe e të punësuarve dhe vetëpunësuarve janë gratë dhe vajzat.
Siç thotë punëtorja Nexhmije Plangaj, ato përballen çdo ditë jo vetëm me punët e shtëpisë, por edhe me vështirësitë e punës në bujqësi.
“Të gjitha, që jemi këtu, vijmë nga Postriba, vijmë për nevojat tona pasi nuk kemi punë”, thotë ajo.
Situata e krijuar këtë vit, për shkak të agesionit të Rusisë në Ukrainë, ka shtrirë ndikimin e vet edhe në sektorin e bujqësisë me rritjen e çmimit të naftë dhe imputeve bujqësore, por edhe me vështirësitë e krijuara për shitjen e prodhimeve bujqësore. Punëtorja Shpresa Mustali thotë se kjo situatë po rëndon edhe në jetën e grave të zonave rurale.
Me mbështetjen e BE-së, qendra e gruas “Hapat e lehtë” po punon për identifikimin e problematikave të grave dhe vajzave në pjesën më të madhe të bashkive në veri të Shqipërisë.
Drejtuesja e kësaj qendre, Denada Shpuza, thote se, nga një studim i realizuar nga kjo qendër, megjithëse rreth 96% e punëve në bujqësi kryhen nga gratë, të ardhurat e përfituara nuk administrohen prej tyre.
“Nga studimi rezultoi që gratë dhe vajzat punojnë shumë në bujqësi dhe blegtori, krahas punëve të shtëpisë. Dhe, në pjesën më të madhe të kohës janë gratë ato që bëjnë punët në bujqësi dhe blegtori. Eshtë ajo puna e padukshme sepse, pavarësisht se siguron të ardhurat e familjes, vazhdon që këto të ardhura të menaxhohen nga burrat”, thotë zonja Shpuza.
Megjithëse në Shqipëri gratë luajnë një rol të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë pasi përbëjnë rreth 55% të forcave të punës, ato drejtojnë vetëm 7% të fermave bujqësore dhe blegtorale të vendit. Kjo, thotë zonja Shpuza, për shkak se grate. janë të privuara nga e drejta e pronësisë.
“Në pjesën më të madhe të rasteve gratë vazhdojnë të jenë të zhveshura nga e drejta e pronësisë, ç’ka do të thotë se pjesa më e madhe e tyre hasin problematika qoftë për të bërë aplikime, qoftë për të hapur një biznes, apo për të drejtuar një biznes në këto prona, të cilat vazhdojnë të mos jenë në emrin e tyre”, thotë ajo.
Problematikave që dalin nga territori, si mungesa e transportit, ujit të pijshëm, mungesa e qendrave shëndetësore 24 orëshe si dhe e çerdheve dhe kopështeve me drekë, megjithëse janë shqetësim i të gjithë komunitetit, së pari ato rëndojnë mbi jetën e grave dhe vajzave të zonave rurale.
Ndaj, sipas drejtueses së qendrës së gruas “Hapat e lehtë”, bashkitë dhe njësitë administrative, duhet t’i kushtojnë më shumë vemendje përmirësimit të këtyre problematikave.
(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)