Gjenerali Ristuccia: KFOR-i nuk mund ta marrë rolin e Policisë së Kosovës në veri

Prishtinë, 6 tetor 2023 – Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajori italian Angelo Michele Ristuccia, e ka cilësuar sfiduese situatën e sigurisë në Kosovë.
Në një konferencë për media, në përfundim të mandatit të tij në Kosovë, gjeneuali Ristuccia ka thënë se KFOR-i do të vazhdojë të ushtrojë misionin e vet në terren me trupa shtesë që do të vinë së shpejti.
“Ka qenë një vit tejet sfidues për ne. Kjo krizë ka kërkuar orvatje ushtarake dhe diplomatike për të krijuar situatë më stabile. Situata është bërë më e ndërlikuar për shkak të disa faktorëve: mosbesimit mes palëve, çështjeve të pazgjidhura gjatë, narrativave toksike gjatë këtyre javëve. Janë ndërmarrë shumë veprime. Trupa shtesë do të vazhdojnë të vijnë edhe nga aleatët tjerë”, ka thënë ai.
Ristuccia ka folur edhe për kërkesën e Serbisë që KFOR të marrë rolin kryesor për sigurinë në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka thënë se roli i Policisë së Kosovës në veri nuk mund të zëvendësohet, pavarësisht shtimit të trupave paqeruajtëse.
“KFOR-i vepron sipas mandatit që ka. Ne do të jemi aty që të planifikojmë dhe ndihmojmë për çfarëdo që nevojitet. Roli i Policisë nuk mund të zëvendësohet sepse KFOR nuk ka të drejta për të vepruar mbi çështjet ligjore. Kemi Policinë, EULEX-in dhe KFOR-in që veprojnë si përgjegjës për sigurinë”, ka thënë ai.
Ristuccia ka thënë se KFOR-i po i ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar çështjen e pëdorimit të logove të KFOR-it nga grupi i armatosur serb gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit.
“Janë duke u bërë hetime dhe i kemi ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të zvogëluar rrezikun e asaj që ne e quajmë ‘sulm nën flamur të rremë’”, ka theksuar ai.
Gjeneralmajori Ristuccia ka thënë se nga sasia dhe lloji i armatimit që ka poseduar grupi i armatosur serb bëhet e qartw se qëllim i sulmit ka qenë destabilizimi.
I pyetur se si ka mundur të hyjë në Kosovë një sasi aq e madhe e armatimit që është konfiskuar nga Policia e Kosovës në Basnjskë e rrethinë, ai ka thënë se ende janë duke u bërë hetime. Ai ka thënë se për shkak të terrenit të vështirë nuk është e lehtë të kontrollohet e gjithë zona .
“Hetimet janë duke vazhduar për ngjarjen në Banjskë. Ne jemi prezentë edhe në veri të Kosovës dhe po zbatojmë mandatin. Kemi një marrëveshje që tregon kush çka bën dhe ne e respektojmë. Terreni është i komplikuar. Nuk është e lehtë të kontrollohet gjithë terreni, gjithë vija kufitare”, ka thënë ai.
Ristuccia ka thënë se tani situata është më e qetë se disa javë më parë, por ka theksuar se vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë paqe të qëndrueshme në rajon.
“Nëse palët nuk ulen të bisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje, situata nuk mund të mbahet. Ne besojmë që përpjekjet diplomatike janë të nevojshme për ta ruajtur paqen”, ka theksuar ai.
(r.m.)