Gjeopolitika e konfliktit në Kosovë dhe standardet e dyfishta diplomatike

Mehmet PRISHTINA

Duke qenë një çështje më vete që ka pësuar evoluim historik deri në pavarësimin e saj, Kosova paradoksalisht po rëshqet në çështje të brendshme të Serbisë. Sepse thelbi i dialogut Kosovë-Serbi, sipas politikës së Beogradit, nuk përbën rregullimin e gjendjes së serbëve në Kosovë, por falimentimin e Kosovës si shtet.

 

Rezoluta 1244, në të cilën thirret shpesh Vuçiqi,  nuk e përmendet aksund Serbinë. Kjo rezolutë nuk ka fare të bëjë me Serbinë, sepse ajo i dedikohej një shteti tjetër – RFJ-së, i cili pushoi së ekzistuari në vitin 2006, kur Serbia u njoh ndërkombëtarisht si shtet i ri.

Mirëpo kjo nuk po e pengon Vuçiqin që të paralajmërojë një dislokim të forcave ushtarake serbe ne veri të Kosovës, duke u thirrur gjithmonë në rezolutën e sipërpërmendur.

Kjo retorikë luftënxitëse e Vuçiqit ka detyruar shumë kancelari të botës të reagojnë duke kërkuar nga ai që as të mos e mendoj një aventurë të tillë të rrezikshme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka kërkuar nga Serbia që të ndalojë provokimet ndaj Kosovës. Në një intervistë për televizionin “France 24”, Stoltenberg ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë, pas vendosjes së barrikadave në Veri nga serbët atje.

Sipas tij , NATO përmes trupave të saj në Kosovë në kuadër të KFOR-it është e gatshme, e aftë dhe vigjilente dhe po monitoron nga afër situatën në terren me shumë kujdes.

Stoltenberg, gjatë deklarimit ka kërkuar edhe që Kosova e Serbia të përmbahen nga retorika që rrjedhimisht mund të ushqejë përshkallëzimin e situatës në terren.

“Deutsche Welle”, ka raportuar pas një takimi të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-të në Bruksel, të cilët shqyrtuan tensionet në veri të Kosovës, me ç’rast Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas mbledhjes me ministrat ka thënë se “kjo situatë duhet të marrë fund”. Ai është shprehur se BE-ja është e gatshme të dërgojë më shumë personel për misionin e EULEX-it.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja, thotë ai, e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Ndërkaq, shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, duke iu referuar tensioneve në veri, ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë.

“Kosova uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën. Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm“, ka shkruar Baerbock në llogarinë e saj në Twitter. “E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga BE“, shtoi ministrja e Jashtme gjermane.

Situata e tensionuar në veri të Kosovës ka nxitur retorikat politike. Pas deklartës së Presidentit Vuçiq se do të kërkonte nga KFOR dislolim të forcave ushtarake serbe ne veri, vjen reagimi i Kurtit. Ai thotë se Serbia po kërkon kthimin në kohën e Millosheviqit dhe kthim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës).  “Agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi… Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi. Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”, shprehet Kurti ndër të tjera.

Në mbledhjen e sotme (e martë) të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti gjithashtu ka folur për vendimin e Kosovës që këtë javë të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkim Evropian.

“Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë në status kandidat duke kaluar në një fazë të re të raporteve me BE-në. Kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve që besojnë se e ardhmja jonë është BE-ja”, ka thënë Kurti.

Situata në Kosovë i ka dy dimensione: në njërën anë kemi dimensionin e brendshëm, të cilin e përbëjnë institucionet ligjzbatuese dhe dimensioni i jashtëm është Serbia me shantazhet e aj, e cila synon të faktorizohet aq shumë në Kosovë, sa që çdo vendim legjitim kosovar duhet paraprakisht ta merr aprovimin e Beogradit.

Duke qenë një çështje më vete, që ka pësuar evoluim historik, deri në pavarësimin e saj, Kosova paradoksalisht po rëshqet në çështje të brendshme të Serbisë. Sepse thelbi i dialogut Kosovë-Serbi, sipas politikës së Beogradit, nuk përbën rregullimin e gjendjes së serbëve në Kosovë, por falimentimin e Kosovës si shtet. Serbia po i përdor serbët lokal si vegëza për të lidhur sa më shumë nyje mbi qafen e Kosovës, sepe vetëm në këtë mënyrë realizohet plani për ta parandaluar bërjen e Kosovës shtet me të gjitha parametrat ligjorë e kushtetues.

Megjithatë, situata nuk do të dukej aq kaotike, sikur të mos ndikonin edhe deklaratat kontradiktore të diplomatëve të huaj, të cilët jo gjithmonë kanë qëndrime parimore mbi atë çka po ndodhë në Kosovë. Në retorikën e diplomatëve të huaj ekziton një prirje për të vendosur njëfarë simetrie të fajit dhe përgjegjësisë në mes të Kosovës dhe Serbisë, qasje kjo që i ka trimëruar bukur shumë bandat serbë në veri që të ndërmarrin veprime destruktive kundër shtetit të Kosovës.

Shpesh na ka rënë të dëgjojmë kritika, bie fjala, të ambasadorit amerikan në Beograd, Kristofer Hill, mbi politikat qeveritare të Kosovës kundrejt Serbisë, të cilat ai i shikon me një sy kritik, ndërkohë që nuk na ka rënë të dëgjojmë kritika të tilla në adresë të Serbisë nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey M. Hovenier.

Kosova dhe populli i saj besojnë fuqishëm në politikën e drejt amerikane, por kjo nuk do të ishte pengesë që të bëhet publikisht pyetja se si është e mundur që dy ambasadorë amerikanë kanë qasje pak a shumë të ndryshme mbi situatën në Kosovë dhe mbi faktorët destabilizues që vijnë nga Serbia.

Gjeopolitika e konfliktit në Kosovë nuk do të ishte dramatike sikur të mos ekzitonte një tendencë e hapur ruse që përmes Serbisë të destabilizojë gjithë Ballkanin. Por, këtij destabilizimi mund t’i kontribuojë edhe aplikimi i standardeve të dyfishta që po përdorin diplomatët e huaj, duke i vendosur padrejtësisht në një peshore të njejtë fajësie dhe përgjegjësie Kosovën (viktimë) dhe Serbinë (agresore).

Prishtinë, 13 dhjetor 2022