Gjergj Fishta s’ishte intelektual e shkrimtar dosido, por një hero kulturor që luftoi me të gjitha forcat intelektuale e shpirtërore për bashkimin e kulturimin e shqiptarëve, për t’iu sjellë atyre dije e dritë pas territ shekullor, rrjedhimisht për t’i orientuar kah rrezet e bukura të diellit e të lirisë, pas shumë shekujve të rëndë robëri dhe këtë e thotë në fillim të kryeveprës së tij, Lahuta e Malcis:
”Ndihmo, Zot, si m’ ké nihmue!
Pesqind vjet kishin kalue
Se të bukren ket Shqypní
Turku e mbate në robní,
Krejt tue e lá t’mjeren në gjak,
Frymen tue i zanun njak,
E as tue e lânë, jo, dritë me pá:
Kurr të keqen pa i a dá:
Rrihe, e mos e lên me kjá:
Me i u dhimtë, po, minit n’múr,
Me i u dhimtë gjarpnit nen gúr!”
Te “Lahuta e Malcis”, vepra përfaqësuese e autorit, Fishta pra e nis rrëfimin duke e futë lexuesin në hollinë e mynxyrshme të pasojave kishte lënë pushtimi osman në historinë shqiptare dhe bën një konstatim të fortë historik e dramatik.
Dhe përballë një Shqipëri të zhytur në mjerim të thellë, autori ishte i vetëdijshëm se vetëm një lëvizje e fortë kulturore dhe një analizë e mbrehtë e pasojave të rënda të sundimit të huaj, mund të shërbente si kurë shpirtërore për t’i pastruar e shëruar plagët e thella. Në këtë drejtim ai besonte se populli duhej armatosë me dije e kulturë, pra duke u vetëdijesuar e ndërgjegjegjësuar, dhe kështu mund të hynte në mesin e popujve të përparuar oksidental, ku ai aspironte ta shihte popullin e tij të këputur nga rrjedhat e këtij qytetërimi.
Në publicistikë, Fishta flet për nevojën që kombi shqiptar të pasurohet me vlera fisnike, që janë mirësia, e vërteta dhe e bukura, e të cilat shërbejnë si shtylla për ta mbajtë lart ngrehinën kombëtare, dhe në funksion të këtij ideali ai kërkon që lexuesit të njohin traditën, meqë sipas tij asgjë nuk mund të ndërtohet pa traditë.
Shqipëria e pavarur dhe ideali i lirisë u shtrinë në gjithë krijimtarinë imagjinare të Fishtës dhe morën trajtë më të qartë në fushën publike e publicistike të Fishtës, ku ai u përfshi vetë duke krijuar institucione kulturore, duke përfaqësuar shtetin e porsa krijuar që përballej me halle të mëdha, dhe në të njëjtën kohë duke luftuar për t’i bashkuar shqiptarët e çoroditur dhe të pamësuar me krijesën e re, shtetin e pavarur.
Në publicistikë e eseistikë, Fishta në formë të strukturuar, jo vetëm si krijues virtuoz, por tani si mendimtar i mbrehtë, sheston zhvillimet e kohës, i analizon dhe ato i paraqet përpara lexuesit, duke dëftuar gjithmonë me kahet e ardhshme të Shqipërisë, rrugën e drejtë që kombi i dalë prej robërisë së gjatë duhej të zgjedhte për të jetuar i lumturi e në mirëqenie. Në këtë drejtim, boshti qendror i veprës së tij publicistike lidhet me postulatin: “Tash, që âsht bâ Shqipnija, duhen përbâ shqiptarët.” E ndër ato vite të mjegullta, kjo formulë e tij u kthye në platformë të sivëllezërve të tij të mendimit e të besimit, që punuan me mish e shpirt t’i jepnin kombit shpirt e vlera fisnike, frymë kjo që e ktheu Shkodrën në kryeqendrën e kulturës shqiptare, rreth të cilës gravitonin idetë më të përparuara të kohës.
Në shkrimet publicistik të Fishtës m’i përbâ shqiptarët domethënë me krijua vepra të mendimit e të estetikës, të gjuhës e të gramatikës, të artit e të administratës. Pra, m’i përbâ shqiptarët për Fishtën veç tjerash domethënë me iu dhanë shpirt e zemër bashkëkombëseve të tij në rrugën e përparimit dhe të avancimit, në agun e qytetnimit, pas shekujve të gjatë të mjerimit nëpër të cilët ata kishin jetuar larg rrezeve të lirisë: pa shkolla, pa kulturë, pa art dhe pa traditë institucionale.
Fishta tregon në veprën e tij letrare e publicistike se ka e vajtë në shpirt sundimin osman, e ka ndierë me trishtim rrezikun e copëtimit të shtetit të ri nga fqinjët sllavë, prandaj ka bërë përpjekje madhore që ta shihte kombin e lirë dhe të konsoliduar. Dhe në agimin e lirisë, ai e ka ditë si rrallëkush se shqiptarëve nuk iu mjafton vetëm liria fizike, por parasë gjithash atyre iu duhej liria shpirtërore, lira e mendjes, që u jep krahë të lartësohen dhe të emancipohen, duke i shartuar veset e këqija, në njërën anë, dhe duke u pasuruar me vlera fisnike, në anën tjetër.
Kështu, betejën për përbâjmen e Shqipërisë ai mendon si betejë kulturore, i bindur se kultura është busulla e orientimit të një shoqërie dhe paradigma e vetme që i jep gjallëri, energji e ideale, dhe që e mban një komb të bashkuar. E në funksion të këtij ideali a e dinte si një rol të madh luante shtypi kulturor, prandaj tregoi një lidhje të fortë me periodikun dhe në vitin 1913, pra një vjet pasi ishte bâ Shqipnia, nis punës të botojë revistën “Hylli i Dritës”, përmes së cilës ai donte të ndikonte në përbâmjen e shqiptareve dhe duke treguar kahet e zhvillimit të saj.
Zef Pllumi i cili e ringjalli “Hyllin e Dritës” pas disa dekadave e quajti me plot të drejtë këtë revistë “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.” Pra, kjo revistë duke lindë “nëper ag të qytetnisë së Shqypnisë”, ajo u bâ shenja më domethënëse e qytetërimit shqiptar dhe kulturës kombëtare.
Në errësirën e madhe që mbretëronte atëbotë kur shqiptarët e hutuar kishin dalë në rrezet e lirisë, “Hylli i Dritës” vërtet shërbeu si dritë, si yll orientues, ashtu siç ishte proklamuar në misionin e saj. Dhe shpejt rreh idesë së “Hyllit të Dritës” u bashkuan shumë dijetarë dhe patriotë të shquar që dhanë kontribut të madh në emancipimin e përgjithshëm shqiptar, kurse Fishta si drejtues i saj punoi me shpirt e mendje në misionin e përlindjes shpirtërore e kulturore të kombit.
Dihet se në rrethet intelektuale të kohës, revista “Hylli i Dritës” ka qenë një nga lidhjet më të forta që ka besuar plotësisht në një Shqipëri të pavarur, gjë të cilën e dëshmon vetë Fishta në shkrimin “Rreziku i përbrendshëm” ku shkruan: “Kur, para këtyne shtatë vjetve, na të “Hyllit të Dritës” patëm thanë në nji rasë se ka Shqypni, se do të kishte Shqypni të lirë e të pamvarme, ndokush ndër shqyptarë qeshi, tjerët mrrudhën krahët, e shumta bani se s’po ndien. Të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, der shpresën e kishin djerrë shqyptarët se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme; e prandej shumica e madhe e tyne s’pat as të nxetë as të ftoftë kur u thamë se kishte Shqypni.”
Pra, themelimi i kësaj reviste kulturore – letrare, pikërisht në kohën e pavarësisë kombëtare, kur shtetit të ri duhej t’ i jepej shpirt dhe orientim, tregon lidhjen e fortë të autorit me zhvillimin shoqërore të kohës dhe dëfton kontributin e madh të françeskaneve në përlindjen shpirtërore e kulturore të kombit shqiptar. Revista luajti rol të jashtëzakonshëm në formimin kulturor të kombit, duke u bërë një lloj institucioni, që arriti t’ i bashkonte mendjet më të ndritura të kohës rreth idesë së pavarësisë kombëtare, lirisë dhe përlindjes kulturor kombëtare.
Fishta te shkrimi fantastik “Perlimi i përkoshmes” e sheston njeriun si epiqendër të shtetit, të kulturës dhe të organizmit qytetërues. Duke besuar se njeriu është i krijuar për një ideal të madh, sublim, ai thotë se “nieri nuk ndodhë pa hiri m’ket jetë, por len per nji qellim e qëllimi i tij asht t’gyuemit e fytyrës s’Tenzot në’jetë t’amshume ose lumnija e pasosun.”
Më tej, në këtë tekst, autori shenjëzon katër cilësi themelore të jetës së lumtur dhe të frytshme, që për të duhet të kthehen në parambulla të organizmit të jetës së re shqiptare: Feja, Atdhue, Gjindja dhe Dija.
Këto katër kategori, ndërthuren organikisht në krejt sistemin filozofik e publicistike të tij, duke u kthyer në katër shtylla të identitetit të shkrimit fishtjan. Për autorin, këto vegla e bëjnë njeriun të lum në këtë jetë. E duke analizuar këto komponentë shoqërore e shpirtërore, ai tregon misionin e të përkohshmes “Hylli i Dritës”, që lidhet me binomin e shtrirë në krejt letërsinë e tij, Fe e Atme dhe krejt kjo bëhet për “m’i ngjall shpresën nder zemra të shqiptarëve, se prej Hyjit dit ma të mira kanë me ju reshë Shqipnis.”
Pra, Fishta dhe françeskanët patën një program dhe këtë e shpreh autori qartësisht: “Kombi shqiptar do me u ndertue shtet m’vedi e i pamvarun, si të gjitha shtet tjera t’Europës s’qytetnume.”
Në ese e tekste të shumta të botuara në shtypin e kohës, Fishta analizon e trajton edhe probleme të artit e të politikës, të shoqërisë e historisë, të gjuhës e estetikës, të religjionit e shkencës, shkruan për shkrimtar të mëdhenj botëror si Goethe, për natyrën e artit e mbi artin, për laicizmin dhe shtetin, për Skënderbeun e shqiptarët, pra, gama e publicistikës dhe eseistikes së tij është një kryqëzim kohësh e dijesh, ku bashkohet Fishta intelektual e artist, Fishta poet e frat, Fishta politikan dhe ëndërrues i madh, Fishta hero unik kulturor dhe atdhetar i pathyeshëm, Fishta veprimtar dhe drejtues.
Vepra publicistike e Fishtës ndërlidhet ngushtë me krijimtarinë e tij letrare dhe njëfarë mënyrë bëhet pasqyrim i saj, si trajtë tjetër e shkrimit të drejtpërdrejtë. Në publicistikë, Fishta analizon, interpreton dhe shtjellon probleme të thukta të shoqërisë me një gjuhë shumë të qartë dhe duke i shestuar sfidat si autentike e universale, duke piketuar sfida dhe duke dëftuar rrugën e daljes, kështu që publicistika e tij hap shtigje të reja për lexuesit e kohës dhe me vlerat e saj shërben edhe për lexuesit e sotëm, meqë problemet që trajton autori vazhdojnë të jenë sfida edhe të kohës sonë.
Në publicistikë Fishta flet me kompetencë, gjykon me mprehtësi të thellë dhe mëson siç mëson mësues i mirë që dëshiron nxënësit t’i bëjë nesër mësues të mirë.
Fishta në publicistikë, ashtu sikurse në epikë e lirikë u dha za shqiptarëve, duke ua dëftuar rrugën e formimit historik, iu tregoi konditat për të krijuar një shtet të qëndrueshëm e të mirëqenë dhe pandërprerë u foli edhe për veset e këqija.
Ajo çka është ajri për njeriun, për shoqërinë është kultura, e një popull pa kulturë mund të ngulfatet. Ky parim fisnik te Fishta shtrihet kudo si ajri në hapësirë dhe përbën tharmin e publicistikes së tij. Sepse, ai ishte i bindur se vendit më shumë se gjithçka i duhej kulturë, i duhej që t’i njihte rrjedhat shoqërore, politike dhe ato kulturore dhe njëkohësisht e dinte mirë se shteti para se gjithash ishte një projekt thellësisht dituror, ku kultura ishte në qendër të tij dhe i mbante njerëzit të bashkuar.
Publicistika e Fishtës është shprehja më e qartë e idealeve të larta që kishte autori e lidhur me idealin e një Shqipërie të pavarësuar, e cila e dalë prej natës së zezë osmane duhej të formësohej me shpirt dhe orientim të qartë perëndimor, oskidetnal, për të mirën e përgjithshme të ngritjes së shqiptarëve, pra përlindjen e tyre.
…
Gjergj Fishta në tekstin “Koha e ardhshme e Shqipnisë”, të botuar më 1923 në revistën “Hylli Dritës” ndër të tjera shkroi: “Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme: a) mbi pavarësinë politike, b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme, c) mbi ekonominë, d) kulturën dhe e) moralin.
Teksti i sipërpërmendur tingëllon si një manual shumë i dobishëm edhe për kohën e sotme.
Në tekstin në fjalë, Fishta, si erudit i vërtetë, analizon pesë shtyllat themelore që mbajnë lartë ngrehinën shtetërore.
Këto shtylla ato janë: “Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë: T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik…
Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë.
Tue qenë se qëllimi i imediat i shteteve të qytetnueme asht përmirësimi i gjendjes së njeriut mbi tokë, ma parë në pikëpamje të jetës së tij fizike e masnadej të jetës intelektuale, merret vesh prej vetes, se, pa ekonomi, një shtet i qytetnuem s’mundet të jetojë, e me kohë, do të bahet rob i huaj.
Një komb nuk mundet me e mbajtë gjatë pavarësinë e vet ekonomike, pa të cilën, si thamë, s’mbahet as pavarësia politike, po qe që puna e tij nuk prodhon aq sa puna e atyne kombeve, me të cilat ky gjendet në të përpjekun. Por puna rrjedh prej idesë; prandaj një shtet i qytetnuem, për ne do me ruajtë pavarësinë e vet ekonomike, ai do të gjendet e, në mos qoftë, do të mundohet me u gjetë po në atë shkallë kulture, në të cilën gjenden shtetet me të cilat ky ka të marrun e të dhanun.
Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore. Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën ehuazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë.
Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem”.
Përvoja e njerëzimit ka treguar se këto parime për të cilat flet Fishta në një tekst më të gjatë Fishta, janë esenciale për një shoqëri të emancipuar, që aspiron të ecë krah për krahu me popujt e përparuar.
Vepra publicistike e Gjergj Fishtës në historinë e kulturës shqiptare mbetet një shtyllë e rëndësishme në ngrehinën identitare dhe hap shtigje për të kuptuar më mirë rrugëtimin tonë historik, politik e kulturor dhe njëkohësisht është një vepër që dëfton fuqishëm edhe plagët e kohës sonë.
Prandaj, Fishtën duhet ta lexojmë, sepse kështu luftojmë harresën dhe e freskojmë kujtesën dhe e pasurojmë mendjen. Marrim mësim nga e kaluara dhe përmes saj, gjejmë shtigje për të ecur kah e nesërmja.
(Fragment nga një tekst i botuar te Hylli i Dritës, Nr 2, 2021)