Berlin, 27 janar 2024 – Zbulimi i një plani të ekstremit të djathtë për dëbimin e të huajve nga Gjermania nxori gjermanët në protestë kundër AfD.
Shkak për nisjen e protestave masive u bë zbulimi nga gazetarë investigativë të institutit kërkimor “Correctiv”, se anëtarë të AfD ishin takuar në 25 nëntor në Potsdam, për të diskutuar një plan “riemigrimi”, po të vijë në pushtet AfD në Gjermani. Ekstremisti i djathtë austriak, Martin Sellner, propozoi në atë takim të fshehtë një plan me të cilin “të kthehej mprapsht, vendosja e të huajve” në Gjermani. Me të huaj, ai kuptonte azilkërkuesit, persona me leje qëndrimi në Gjermani, por edhe shtetas gjermanë “të paasimiluar” me origjinë të huaj.
Të gjithë këta do të dëboheshin në një “shtet model” në Afrikën e Veriut. Procesin ekstremistët u quajtën me eufemizëm “riemigrim” (riemigrim = lexo: dëbim). Kjo është ide analoge me idenë e nazistëve, të cilët kishin zgjedhur ishullin e Madagaskarit, si vend deportimi për personat e padëshiruar. Përfaqësuesit e AfD-së në takim, jo vetëm që nuk e kundërshtuan planin, por e mbështetën.
Menjëherë sa u publikua raporti, gjashtë shoqata juristësh gjermanë, ndër ta Federata e Gjyqtarëve Gjermanë dhe Dhoma Gjermane e Avokatisë, thanë se takimi është sulm kundër kushtetutës dhe shtetit juridik. Ata thanë se takimi mund të kthehet në një “konferencë të dytë Wannsee”.
Siç dihet, në vitin 1942, konferenca e Wannsee (Wannsee-Konferenz), po në Potsdam, vendosi të ashtuquajturën “zgjidhje përfundimtare” kundër hebrenjve: koordinimin e shfarosjes sa më efikase të hebrenjve të Evropës.
Reagim i politikës
Brenda pak orësh pas botimit të artikullit investigativ, kancelari Olaf Scholz deklaroi në rrjetin X, se çdo plan për të dëbuar migrantët është “një sulm kundër demokracisë dhe kundër të gjithëve ne”. Pak ditë më vonë, Scholzi dhe ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock morën pjesë vetë në protestën e mbi 10.000 vetëve në Potsdam, kundër ekstremizmit të djathtë. Një sërë politikanësh janë pozicionuar, me fjalime, edhe si pjesëmarrës në demonstrata.
Masivitet historik i protestave
Në protesta deri tani, kanë marrë pjesë rreth 1 milion vetë: ministria e Brendshme foli për 900.000, organizatorët për 1,4 milionë vetë. Protestat më masive qenë në datat 19.01., 20.01. dhe 21.01. Por ato vazhdojnë: 15.000 vetë kanë protestuar ditët e fundit në landin e Rinit-Verior Vestfalisë (NRW).
Janë protestat më të mëdha në historinë e Gjermanisë, pas protestave kundër luftës së Vietnamit dhe lëvizjes qytetare në RDGJ, kujtoi një ekspert. Në disa qytete, si në Mynih dhe në Hamburg, organizatorët u detyruan madje t’i ndërpresin demonstratat për shkak të mbingarkimit të qyteteve nga numri i jashtëzakonshëm i njerëzve. Në Berlin kundër AfD-së demonstruan 350.000 vetë, në Mynih demonstruan 250.000 vetë; në Hamburg 160.000 vetë; 70.000 vetë demonstruan në Këln; 60.000 në Leipzig; 50.000 vetë në Dresden.
Protestues nga të gjitha grupet sociale
Me demonstratat masive pjesëmarrësit përcjellin mesazhin se ka një kufi për të gjitha fantazitë ekstreme, të cilat në fund mund të çojnë në dhunë.
Demonstruesit e këtyre ditëve kundër AfD-së kanë përbërje shumë heterogjene: janë të rinj, të vjetër; liberalë, konservatorë; migrantë; familje, beqarë; gjermanolindorë, gjermanoperëndimorë; çifte homoseksuale. Janë, pasqyra e kundërt e tabllosë së homogjenitetit të popullit, të cilën e kërkon AfD.
Ata organizohen shpesh në formë solidariteti: protestat në një qytet nxisin shtetas në qytete të tjera të bëjnë të njëjtën gjë.
Vlerësim i protestave në Evropë
Protesta energjike e tyre është dëshmi e pakundërshtueshme se demokracia në Gjermani vazhdon të jetë e gjallë e aktive. Kështu konkludojnë shumica e ekspertëve gjermanë dhe evropianë, të cilët analizojnë masivitetin e protestave. Në Evropë, e përditshmja franceze, Le Monde, shkroi p.sh. se demonstratat janë një reagim i shëndetshëm. Ka dallim të madh, shkroi ajo nga “fqinjët francezë, që janë më pasivë ndaj ekstremit të djathtë, që luan kartën e normalitetit… në Francë”. “Vitaliteti i lidhjes së saj (Gjermanisë) me demokracinë, të cilën sapo e demonstroi, mbetet aseti i saj më i mirë”.
Madje edhe ekstremistja e djathtë franceze, Marine le Pen, tha se ka “dallime ekstreme mendimi” me AfD. Ajo tha se nuk kishte mbështetur kurrë idenë e heqjes së shtetësisë franceze, atyre që e kanë marrë njëherë, megjithë kritikat për marrjen e saj.
Për herë të parë në Gjermani po diskutohet tani gjerësisht mundësia e ndalimit të AfD-së. Por edhe nëse do të niste procedura për ndalimin e AfD – për këtë mjafton kërkesa e 37 deputetëve – suksesi i saj para Gjykatës Kushtetuese Federale është i paqartë. Vetëm dy parti janë ndaluar në RFGJ deri sot: në vitin 1952 Partia Socialiste e Rajhut, që mblidhte nostalgjikë të Hitlerit dhe në vitin 1956, Partia Komuniste e Gjermanisë.
Disa shkaqe pse mbështetet AfD-ja
Edhe në Gjermani, si në çdo vend, ekziston një segment i popullatës, që nuk e vlerëson demokracinë liberale: ka antisemitë, ka njerëz kundër të huajve, ka racistë. Suksesi i AfD-së shpjegohet nga njëra anë me rrethanën se AfD i jep zë politik këtij segmenti social. AfD mbledh përgjithësisht emocione të pakënaqësisë me situatën aktuale në Gjermani.
Ekziston nga ana tjetër edhe një numër tjetër më i madh njerëzish: ata ndihen ose të shkelur nga shteti e qeveria; ose përkundrazi mendojnë se shteti është jo ekzistent dhe jo efikas.
Sociologët e njohur Steffen Mau dhe Hartmut Rosa i thanë gazetës SZ se ka gjermanë të pakënaqur, sepse sipas tyre shteti ndërhyn tepër shumë: njëherë u sjell refugjatë në fshat, ku punët në fakt i kanë mirë. Atyre u duket atëherë se shteti e ka mendjen “vetëm te të huajt”; njëherë tjetër, shteti do t’u ndryshojë me ligj llojin e ngrohjes, në shtëpitë private. Përkundrazi, të tjerë ndihen të pakënaqur se sipas tyre shteti nuk bën asgjë: asgjë për të mbrojtur ambjentin, asgjë kundër homofobisë etj.
Është fakt se bota e sotme ndryshon shpejt dhe njerëzit janë shumë të lodhur. Ata ngacmohen e vihen në lëvizje shpejt. AfD-ja u premton të lodhurve kthim në atë që njohin më mirë, në tradicionalen. Por që, në fakt nuk ekziston më, si e kanë ata në kujtesë.
AfD në sondazhe në mbarë Gjermaninë merr mbi 22 përqind. Në shtator, në zgjedhjet në tri lande lindore, ku sipas sondazheve AfD merr mbi 35%, nuk përjashtohet që ajo të dalë partia më e fortë. Por për shkak të “kordonit sanitar”, të vendimit të të gjitha partive të mëdha për të mos bashkëpunuar me AfD-në, kjo parti megjithatë nuk pritet të vijë në pushtet.
Disa shkaqe pse kundërshtohet masivisht AfD
Numri i popullsisë së Gjermanisë u ngjit këtë vit në 84,7 milionë banorë. Gjermania është shteti më i populluar i Evropës. Këtë shifër Gjermania e arriti në sajë të migrimit. Pa kompensimin nga migrantët Gjermania do të zvogëlohej në numër, pasi edhe këtu vdesin më shumë njerëz se sa lindin. Kjo do t’i sillte probleme të mëdha ekonomike ekonomisë gjermane, me etje të madhe për punonjës. Shoqërisë do t’i sillte probleme sociale.
Është fakt se në të gjithë Evropën Perëndimore ka aktualisht një lëvizje të madhe kundër migrimit. A bën Gjermania përjashtim? Edhe në Gjermani, si në Evropë bëhen diskutime për numrin e refugjatëve që duhen lejuar të kalojnë kufijtë e Gjermanisë. Por historia vetjake e nxit Gjermaninë njëkohësisht që të bëjë përjashtim: të mbajë një demokraci aktive dhe ta mbështesë integrimin e Evropës.
Interesat ekonomike të Gjermanisë janë një shkak tjetër pse kundërshtohen masivisht fantazitë ekstreme të AfD. Me të ardhur në pushtet AfD ka thënë se do të organizojë një referendum për ta nxjerrë Gjermaninë nga BE. Ideologjia e kësaj partie tremb investorët e huaj dhe punonjësit e kualifikuar, të cilët i duhen Gjermanisë. Kjo është e papranueshme për shumë gjermanë.
(Auron Dodi, Deutsche Welle)