Gjermani: Afër 200 padi ndaj prodhuesve të vaksinave kundër COVID-19

Berlin, 13 prill 2023 – Gati 200 padi janë ngritur në Gjermani kundër katër prodhuesve kryesorë të vaksinave kundër virusit korona: “BioNTech”, “Moderna”, “AstraZeneca” dhe “Johnson & Johnson”, raporton Deutsche Welle.

Paditësit thonë se janë dëmtuar dhe kanë pasoja nga vaksinimi kundër viruusit COVID.

Dy zyra ligjore, një në Düsseldorf dhe një në Wiesbaden do t’i përfaqësojnë 185 paditës. E para do t’i përfaqësojë 135 raste, kurse e dyta 50 raste.

Firma ligjore nga Düseldorfi thotë se i ka pasur rreth 3.000 kërkesa për padi, por  këto kërkesa kanë rezultuar me 135 padi, sepse jo të gjithë kanë pasur dëshmi të mjaftueshme për hapjen e rasteve. Ndërkaq, zyra ligjore nga Wiesbaden thotë se i ka pasur 850 kërkesa për hapjen e rasteve, por i ka pranuar vetë 50 prej tyre. Edhe kjo zyrë ka hedhur poshtë qindra kërkesa të cilat mendohet se janë të pabaza.

Gjyqi i parë pritet të nisë më 28 prill në Gjykatën e Frankfurtit. Prodhuesi i vaksinave BioNTech nga qyteti Mainz do të jetë në bankën e të akuzuarve. Paditësja është një grua që pretendon se ka pësuar dëmtime në zemër si pasojë e vaksinimit kundër Covid-19. Gruaja, e cila, sipas avokatit të saj, është vetë profesioniste e mjekësisë, dëshiron të mbetet anonime. Çdo kërkesë do të trajtohet individualisht ose do të ketë ndonjë marrëveshje jashtë gjyqit.

Një çështje kyçe në të gjitha këto padi është çështja e shkakut të dëmeve shëndetësore dhe dëshmisë, nëse këto dëme kanë lidhje me vaksinat. Në parim, për vaksinat kundër virusit korona vlejnë po ato rregulla të përgjegjësisë sikur edhe për ilaçet e tjera, bazuar në Ligjin e Barnave ose në Ligjin e Përgjegjësisë ndaj Produkteve.

Prodhuesi mund të mbahet përgjegjës nëse ka ndonjë gabim në prodhim. Por, nëse ka pasur një gabim në administrimin e ilaçit, atëherë përgjegjësia bie mbi personin që e ka kryer vaksinimin.

Kompania BioNTech ka thënë se, “deri më tani, në asnjë nga rastet e ekzaminuara nga BioNTech nuk është provuar një lidhje shkakësore midis dëmtimit të përshkruar shëndetësor dhe vaksinimit”.

“Ne e marrim shumë seriozisht përgjegjësinë tonë si prodhues vaksinash”, ka thënë zëdhënësja e kompanisë.

Ajo ka thënë se BioNTech e trajton me kujdes çdo rast të ngritjes së padisë kundër kësaj kompanie, me kusht që avokatët e paditësve të dorëzojnë dokumente të mjaftueshme për të dëshmuar ndërlidhjen e vaksiinës me  dëmtimet shëndtësore.

“Kur e vlerësojmë një rast, ne mund të mbështetemi vetëm në faktet mjekësore për të gjykuar nëse ka apo jo ndonjë lidhje shkakore. Fatkeqësisht, këtu shpesh mungojnë dokumentet”, ka thënë ajo.

(r.m.)