Gjermani: Të paktën 2 të vdekur e 60 të plagosur në tregun e Krishtlindjes, ku makina i ka goditur kalimtarët

Magdeburg (Gjermani), 20 dhjetor 2024 – Të paktën dy persona janë vrarë dhe mbi 68 të tjerë janë plagosur të premten si pasojë e përplasjes së një makine në turmën e një tregu Krishtlindjesh në qytezën lindore gjermane, Magdeburg.

Raportohet se 15 të plagosur janë në gjendje kritike.

Agjencia gjermane e lajmeve DPA ka njoftuar se shoferi i makinës është arrestuar. Sipas informacioneve fillestare, ai dyshohet se burri është rreth moshës 50-vjeçare nga Arabia Saudite. Besohet se ai kishte arritur në Gjermani në vitin 2006.

Burimet brenda institucioneve të sigurisë i kanë thënë agjencisë se burri i arrestuar nuk ka qenë në radarin e institucioneve për zbatim të ligjit dhe as nuk është njohur si islamist.

Zëdhënësi i qytezës Magdeburg, Michael Reif, që gjendet rreth 150 kilometra në jugperëndim të Berlinit, ka thënë se incidenti duket se ka qenë i qëllimshëm.

“Vlerësimi fillestar është që ka pasur sulm në tregun e Krishtlindjes”, ka thënë Reif për median gjermane MDR.

“Janë disa viktima. Brigada e zjarrit dhe policia janë në skenën dhe po trajtojnë të plagosurit”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë se raportimet sinjalizojnë se diçka e keqe ka ndodhur, dhe ka thënë se bashkëndjen me familjarët e viktimave.

Ai pritet të vizitojë nesër skenën e incidentit.

Makina raportohet të ketë depërtuar 400 metra në brendësi të turmës. Dëshmitarët kanë thënë se makina është drejtuar qëllimshëm drejt turmës së njerëzve.

Shumë forca policore dhe shërbime të emergjencës janë parë në vendin e ngjarjes.

(r.m.)

Comment

*