Gjermania anulon dekorimin e mohuesit të gjenocidit të Srebrenicës

Berlin, 31 dhjetor 2021 – Gjermania hoqi dorë nga plani për ta dekoruar me “Urdhrin e Meritave” një historian izraelit kontrovers, pas kritikave që erdhën nga Bosnja e Hercegovinës dhe nga të tjerë, rsaporton Radio Evropa e Lirë.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier kishte në plan ta dekoronte hulumtuesin shumëvjeçar të Holokaustit, Gideon Greif, i cili është mohues i gjenocidit në Srebrenicë.

Greif ishte kryesues i një komisioni të historianëve të cilët, në një raport të përpiluar në korrik të këtij viti, e mohonin natyrën gjenocidale të masakrës së Srebrenicës.

Komisioni ishte formuar me kërkesë të anëtarit të Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik.

Ndonëse kryesisht hulumtues i Holokaustit, për shumë vjet Greif ishte hulumtues në Serbi dhe publikoi punime të cilat vlerësohet se ekzagjerojnë numrin e serbëve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkruan DPA.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimit do të duhej të mbahej më 10 nëntor por është shtyrë për shkak të rishqyrtimit të vendimit.

Më shumë se 8 mijë boshnjakë u vranë gjatë gjenocidit në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, nga forcat serbe të Bosnje e Hercegovinës.

(r.m.)