Berlin,14 prill 2021 – Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti amerikan Joe Biden i bënë thirrje Rusisë të tërheqë trupat nga kufiri ukrainas për të çtensionuar situatën në rajon, tha një zëdhënës i qeverisë gjermane, të mërkurën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s janë alarmuar nga grumbullimi i madh i trupave ruse pranë Ukrainës dhe në Krime, gadishullin që Moska aneksoi nga Kievi në 2014.
Rusia dhe Ukraina zhvilluan stërvitje ushtarake të njëkohshme të mërkurën ndërsa ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të NATO-s filluan diskutimet emergjente mbi mashtrimin e trupave ruse pranë kufirit ukrainas.
Gjatë telefonatës së tyre, Kancelarja Merkel dhe Presidenti Biden diskutuan zhvillimet e fundit në Ukrainën lindore dhe i bënë thirrje Rusisë që të shmangë ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm.
“Kancelarja dhe presidenti ranë dakord se Rusia duhet të zvogëlojë përforcimet e fundit të trupave në mënyrë që të çtensionojë situatën”, tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert.
Në Uashington, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Presidenti Biden kishte folur me Presidentin rus Vladimir Putin të martën për të theksuar pasojat e aktiviteteve të Rusisë. Dy anije luftarake amerikane pritet të arrijnë në Detin e Zi më vonë këtë javë.
(Zëri i Amerikës)