Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me 4000 dronë me inteligjencë artificiale

Gjermania do të furnizojë për herë të parë Ukrainën me dronë luftarakë. Këta dronë komandohen nga një sistem i ri i inteligjencës artificiale, detajet e të cilit mbahen sekret.

 

Është një software që i dallon këta drone. Firma gjermane e inteligjencës artificiale (IA) Helsing, bashkë me një prodhues ukrainas, ka zhvilluar një dron të ri luftarak që, sipas informacioneve, mund të komandohet në mënyrë autonome drejt destinacionit. I programuar një herë i ashtuquajturi dron kamikaz autonom fluturon në destinacion dhe e sulmon atë. Kur ai përplaset në destinacion shpërthen dhe shkatërrohet.

4000 copë të këtij droni luftarak të pajisur me IA të zhvilluar në Gjermani do t’i marrë tani qeveria në Kiev. Detajet teknike dhe vendi i saktë i prodhimit mbahen sekret nga të dyja palët, për arsye sigurie. Deri tani nuk ekzistojnë fotografi të këtyre dronëve.

“Droni i shmanget sistemit elektronik të mbrojtjes”

Ministri gjerman i Mbrojtjes, socialdemokrati Boris Pistorius, bëri të njohura disa informacione të përgjithshme lidhur me këta drone.

“Këta dronë janë në gjendje të depërtojnë 30 deri në 40 km në brendi të vendit ku mund të sulmojnë pozicione luftimesh, nyje logjistike e të tjera objekte”, tha Pistorius.

Ai tha se droni ka aftësinë që edhe “nëse atakohet nga sistemi i mbrojtjes elektronike të palës kundërshtare mund ta devijojë atë dhe të arrijë në destinacion”, shtoi ai.

Shumica e dronëve komandohen me radio, kurse disa edhe me GPS. Me ndihmën e bllokuesve, të të ashtuquajturit Jammer, ato mund të devijohen nga kursi dhe të rrëzohen. Dronët, që mund t’i bëjnë ballë mbrojtjes elektronike të kundërshtarit e kanë një përparësi të madhe strategjike.

Ministri gjerman i Mbrojtjes tha se disa prototipe i ka parë para disa muajsh në Ukrainë dhe se është i bindur që këta dronë do të jenë “një aset vërtetë i rëndësishëm” për Ukrainën.

Deri tani, në kuadër të ndihmës ushtarake për Ukrainën, Gjermania ka dërguar vetëm dronë zbulues. Kancelari Olaf Scholz i përmbahet qëndrimit të tij për të mos dërguar në Ukrainë raketat luftarake Taurus, me të cilat ajo mund të sulmojë edhe në territorin rus.

Dronët në vend të artilerisë

Dronët janë mjaft të pranishëm në fushëbetejë në Ukrainë. Si rusët, ashtu edhe ukrainasit i përdorin ato në mënyrë të shumëfishtë. Rusia vazhdimisht sulmon me dronë edhe objektiva civile dhe infrastrukturën në Ukrainë. Forcave të armatosura ukraianse dronët u shërbejnë edhe si zëvendësim i artilerisë dhe municioneve që asaj i mungojnë. Ushtria ukrainase i përdor dronët të telekomanduar me çmim të levërdisshëm, të cilët i pajis me lëndë shpërthyese dhe i nis drejt pozicioneve ruse.

Inteligjenca artificiale për qëllime ushtarake

Helsing është një sipërmarrje me seli në Mynih, që është specializuar për zhvillimin e sistemeve të inteligjencës artificiale për sektorin e armatimeve. Që prej themelimit të saj në vitin 2021 kjo sipërmarrje ka marrë një sërë porosish nga industria e armatimeve. Ndër të tjera, Helsing punon edhe për komandim elektronik në avionët gjermanë të luftës të tipit Eurofighter si edhe në infrastrutkurën e Inteligjencës Artificiale të “Future Combat Air System” (FCAS), avionit luftarak të së ardhmes.

(dw.com)