Berlin, 6 shtator 2022 – Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck, tha se Gjermania do të ketë rrymë të mjaftueshme për ta kaluar dimrin.
“Rrjeti është stabil, furnizimi me energji elektrike është i siguruar”, tha Habeck të hënën në mbrëmje në Berlin.
Megjithatë, dy centralet bërthamore: “Isar 2” dhe “Neckarwestheim”, do të rrinë të hapura për çdo eventualitet.
“Dy centralet bërthamore në jug të Gjermanisë do të mbeten në punë si rezervë, deri në prill 2023. Më pas edhe ato do të hiqen nga rrjeti”, tha Habeck, transmeton DW.
Energjia bërthamore mbetet një teknologji me rrezik të lartë dhe, veç të tjerash, nuk është e qëndrueshme, argumentoi ministri ekologjist.
Këtë e tregon edhe shembulli i Francës, ku aktualisht prodhojnë energji elektrike vetëm gjysma e centraleve bërthamorë, pasi ato duhet të mirëmbahen ose për shkak të thatësisë.
“Problemi kryesor, për momentin, janë ndryshimet klimatike të energjisë bërthamore në Francë,” tha Habeck.
Lumi Rhône është shumë i ngrohtë dhe niveli i ujit në të është tepër i ulët për të ftohur centralet bërthamore në masën e nevojshme.
Çështja e centraleve bërthamore është një nga temat e mosmarrëveshjeve mes partnerëve të koalicionit qeveritar në Gjermani. Liberalët e ministrit të Financave, Christian Lindner, janë pro prodhimit të energjisë me anë të centraleve bërthamore. Të Gjelbrit, prej nga vjen edhe ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Robert Habeck, janë kundër.
Habeck thotë se, përveç rrezikut të lartë të teknologjisë, mbajtja e centraleve përtej këtij dimri nuk ka kuptim, sepse deri në dimrin e ardhshëm Gjermania do të ndërtojë kapacitete të tjera të furnizimit me gaz të lëngshëm nëpërmjet Detit Baltik dhe Detit të Veriut.
“Të paraqesësh energjinë bërthamore si zgjidhje është e pasaktë faktikisht dhe teknikisht”, tha Habeck.
Ai theksoi se edhe sikur të mos mbylleshin në fund të vitit, sipas planit, centralet bërthamore nuk do të mjaftonin për të përmbushur të gjitha nevojat e Gjermanisë për energji.
Habeck tha se ai vetë nuk llogarit me furnizimet nga Rusia.
“Në se ka një gjë që është e sigurt, është se Rusisë nuk i zihet besë”, tha ministri gjerman.
Të shtunën e kaluar, gjigandi rus “Gazprom” nuk e rifilloi furnizimin e Gjermanisë me gaz nëpërmjet gazsjellësit “Nord Stream 1”, me pretekstin se ka një defekt në turbinë.
Gjermania aktualisht i ka në punë tri centrale bërthamore. Pas katastrofës së centralit bërthamor në Fukushima, në Japoni, në vitin 2011, kancelarja e atëhershme Angela Merkel vendosi për mbylljen graduale të të gjitha centraleve bërthamore në Gjermani. Kjo ishte një pikë kthese në politikën gjermane.
(r.m.)