Gjermania do të pranojë mbi 50 mijë punëtorë nga Ballkani Perëndimor

Berlin, 30 mars 2023 – Gjermania planifikon të pranojë mbi 50 mijë punëtorë të pakualifikuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Qeveria gjermane e miratoi të mërkurën, më 29 mars, projektligjin e ri për migracionin që e rregullon çështjen e migrimit të fuqisë punëtore.

Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, tha se ka plane që rregullorja për kontigjentin e punëtorëve të huaj të zgjerohet edhe për vende të tjera.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor, e cila është në  fuqi prej vitit 2015, u mundëson qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës shtetasve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Bosnjës e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë) pavarësisht nga kualifikimi i tyre.

Projektligji i ri për migracionin është pjesë e strategjisë së re të qeverisë gjermane për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore. Ai parashikon që, përveç shfrytëzimit te potencialit të fuqisë punëtore brenda vendit, të rrisë ofertat për trajnime profesionale për të rinjtë që e lënë shkollën, të përmirësojë kushtet e punës për nënat me fëmijë dhe të rrisë shanset për punësimin e refugjatëve apo të azilkërkuesve që janë refuzuar nga autoriteti i migracionit.

Në një studim i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, i cili u prezantua në Berlin, në muajin janar, Gjermania i ka 2 milionë vende pune të lira. Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, ekonomia gjermane, më e madhja në BE, i ka 100 miliardë euro të ardhura kombëtare më pak në vit. Dhe, kjo situatë po përkeqësohet nga viti në vit.

Pas miratimit të ligjit të ri të migracionit, pritet që në Gjermani të vijnë mesatarisht rreth 75.000 punëtorë të huaj të pakualifikuar në vit. Kësaj shifre do t’i shtohet edhe kontingjenti i Ballkanit Perëndimor prej 50 mijë punëtorësh në vit.

Ekspertët thonë se kjo shifër nuk i plotëson aspak nevojat e Gjermanisë për fuqi punëtore. Ata llogarisin se Gjermanisë i duhen 400.000 imigrantë të kualifikuar në vit.

Por, ministri i Punës, Hubertus Heil, tha se duhet pasur parasysh se pjesa më e madhe e fuqisë punëtore të kualifikuar vijnë në Gjermani nga vendet e BE-së, të cilët nuk kanë nevojë për vizë pune.

(r.m.)