Berlin, 4 maj 2022 – Qeveria e Gjermanisë ka konfirmuar se e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Deputeti gjerman Knut Abraham i ka bërë një pyetje Qeverisë së Gjermanisë nëse do ta mbështeste një aplikim të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
E në përgjigje, Qeveria e Gjermanisë ka thënë se e mbështet anëtarësimin e Kosovës.
“Qeveria e Gjermanisë mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Është me rëndësi, për këtë të mbesim në koordinim të ngushtë me partnerët tanë në Bashkim Evropian dhe në Këshill të Evropës”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Gjermanisë.
Die Antwort der Bundesregierung auf meine Frage zur Mitgliedschaft von #Kosovo im #Europarat ist sehr ermutigend. Jetzt sollte #GER proaktiv die Bewerbung Kosovos im Europarat unterstützen. Europapolitiker unterschiedlicher Fraktionen unterstützen dies. @FrankSchwabe pic.twitter.com/4ba2VsT5BH
— Knut Abraham, MdB (@Knut_Abraham) May 4, 2022
Letra është e nënshkruar nga Andreas Michaelis, i cili shërben si sekretar i shtetit i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë më herët se planifikojnë që së shpejti të aplikojnë për anëtarësim në këtë mekanizëm.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Ajo nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.
Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.
Kosovën nuk e njohin ende as pesë vende të Bashkimit Evropian: Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.
Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
(REL)