Berlin, 27 qershor 2024 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka bërë të ditur se sot ka hyrë në fuqi “Ligji për Modernizimin e Shtetësisë së Republikës Federale të Gjermanisë” (StARModG).
Ambasadori Faruk Ajeti, në një postim në Facebook, u bën thirrje të gjithë kosovarëve që kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës që të aplikojnë për kthimin e saj, duke qenë se prej sot ata kanë të drejtë t’I mbajnë të dyja shtetësitë.
“Jeni liruar më herët nga shtetësia e Republikës së Kosovës? Nga sot e tutje, mund ta fitoni atë duke e mbajtur edhe shtetësinë gjermane”, ka shkruar Ajeti.
Po ashtu edhe në njoftimin e faqes së Ambasadës së Kosovës në Gjermani bëhet e ditur se me ligjin e ri, bie kushti i heqjes së shtetësisë tjetër, për të marrë shtetësinë gjermane.
“Pas kësaj date, ish-shtetasit e Republikës së Kosovës që e kanë dorëzuar shtetësinë kosovare për të marrë atë gjermane mund të aplikojnë për rifitimin e shtetësisë së Republikës se Kosovës”, thuhet në njoftim.
Të gjitha informacionet mbi procedurën për fitimin e shtetësisë së Kosovës mund t`i gjeni në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovë (vegëza)
(r.m.)