Gjermania e vlerëson përkushtimin e Shqipërisë për Procesin e Berlinit

Tiranë, 7 korrik 2023 – Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, e ka vlerësuar angazhimin e Kryeministrit Edi Rama që tëtakoohet me liderët e rajonit, në kuadër te përgatitjeve për samitin e radhës të Procesit të Berlinit që do të mbahet këtë vjeshtë në Tiranë.

“Është kënaqësi të konstatoj që qeveria shqiptare është duke u përqëndruar dhe angazhuar për përgatitjen e takimit të ministrave të Procesit të Berlinit që do të mbahet këtë vit. Por, pronësia e këtij procesi që synon ta marrë përsipër këtë vit Shqipëria apo rajoni në tërrësi, mendoj që është diçka vërtet e rendësishme dhe është shprehje e iniciativës që ka marrë kryeministri (Rama) për t’u takuar me homologët e vet në rajon. Të gjitha përqëndrimet e përpjekjeve këtë vit janë të duhura”, ka thënë Zingraf, të premten në Korçë, transmeton abcnews.al.

Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në rajon, veçanërisht në Kosovë, diplomati gjerman u ka bërë thirrje vendeve të rajonit që të mos bëjnë “hapa prapa”.

“Do të doja që të gjashtë vendet të mos i lejonin vetes të bëhen hapa prapa, sepse hapat prapa, duke pasur parasysh edhe situatën në botë, do të ishin shumë negative për të gjithë. Unë mund të them se forumi i Procesit të Berlinit ka arritur shumëçka në drejtim të duhur. Prej vitit 2014 ka bërë që qeveritë të ulen në një tavolinë, në mënyrë të rregullt dhe periodike, dhe madje kjo është përsëritur prej zotit Rama në shumë raste dhe situata. Andaj unë do të thoja shfrytëzojeni këtë mundësi që jua ofron Procesi i Berlinit për të qenë sa më afër njëri tjetrit”, ka thënë ambasadori gjerman

Në Korçë, ku ka marrë pjesë në përkujtimin e 80-vjetorit të Masakrës së Borovës, Ambasadori i Gjermanise në Shqipëri ka theksuar se vendi i tij, edhe përmes Procesit të Berlinit, do të jetë në krah të Shqiperisë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

(r.m.)