Kiev, 16 qershor 2022 – Gjermania, Franca, Italia dhe Rumania thane të enjten në Kiev se e mbështesin aspiratën e Ukrainës për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri italian Mario Draghi mbërritën me tren nga Polonia në Kiev, ku më pas iu bashkua edhe presidenti rumun Klaus Iohannis
“Ditë e ngarkuar, takime të rëndësishme. Është kënaqësi të takoj presidentin Macron, kancelarin Scholz, kryeministrin Draghi dhe presidentin Iohanniss në Kiev. E vlerësojmë solidaritetin tuaj me vendin dhe popullin tonë”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në kanalin e tij Telegram pas takimit me liderët e BE-së.
Në konferencën e përbashkët për shtyo, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se liderët e këtyre katër vendeve të BE-së janë mbështetës të kërkesës së Ukrainës që menjëherë të fitojë statusin e kandidatit për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.
Ndërka, kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se ai erdhi në Ukrainë me një mesazh të qartë: Ukraina i përket familjes evropiane. Ai shtoi se Gjermania do të mbështesë një vendim pozitiv për anëtarësimin e Ukrainës dhe të Moldavisë në BE.
Kancelari Scholz tha gjithashtu se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa asaj i nevojitet.
Edhe kryeministri i Italisë Mario Draghi, rideklaroi mbështetjen e tij për aspiratat e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ai tha se Italia dëshiron që Ukraina të ketë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe do ta mbështesë këtë në takimin e Këshillit Evropian, javën e ardhshme.
“Populli ukrainas mbron çdo ditë vlerat e demokracisë dhe të lirisë që e mbështesin projektin evropian, projektin tonë,” tha ai.
“Ne nuk mund ta vonojmë këtë process”, theksoi Draghi.
Ai shtoi se Italia dëshiron të shohë sa më pare përfundimin e konfliktit në Ukrainë, duke theksuar se “asnjë zgjidhje diplomatike nuk mund të ndahet nga vullneti i Kievit”.
Para takimit me Presidentin Zelenskyy, Macron, Svholz, Draghi e Iohannis e vizituan qytetin e Irpinit, të shkatërruar nga luftimet.
Qyteti pranë Kievit që para luftës i kishte rreth 62 mijë banorë u përball me sulme të ashpra deri kur forcat ruse u tërhoqën nga rajonet veriore të Ukrainës dhe intensifikimit të ofensivës ruse në lindje të Ukrainës.
Presidenti Macron tha se në Irpin janë kryer krime lufte, ndërsa e vlerësoi rezistencën e ukrainasve për të zbrapsur forcat ruse që e kishin mësyrë Kievin.
“Është një qytet heroik, sepse këtu ukrainasit, së bashku me të tjerët, e ndaluan ushtrinë ruse që ishte nisur drejt Kievit. Heroizmi i ushtrisë dhe popullit ukrainas duhet përshëndetur”, tha Macron.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Irpini është kthyer në një simbol të shkatërriemeve të tmerrshme, ngjashëm me qytetin Buça.
“Është shkatërruar një qytet i tërë, ku nuk ka pasur fare infrastrukturë ushtarake. Ky është një tregues i mjaftueshëm për agresionin rus që synon të shkatërrojë dhe të pushtojë. Është një luftë e tmerrshme. Rusia synon të realizojë synimet përmes brutalitetit, pa marrë në konsideratë jetët e njerëzve, Kjo duhet të përfundojë”, theksoi Scholz.
#Irpin ist wie #Butscha längst ein Symbol für die unvorstellbare Grausamkeit des russischen Kriegs geworden, für sinnlose Gewalt. Die brutale Zerstörung in dieser Stadt ist ein Mahnmal – dieser Krieg muss zu Ende gehen. pic.twitter.com/DEPZUfh9OY
— Bundeskanzler Olaf Scholz (@Bundeskanzler) June 16, 2022
Kievi kërkon nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian më shumë armë për të përballuar agresionin e Rusisë. Më herët, Kievi i ka kritikuar Francën, Gjermaninë dhe, deridiku, Italinë, për, siç ka thënë, hezitime në mbështetjen e tyre për Ukrainën, duke thënë se këto vende janë të ngadalshme në dërgimin e armëve.
(Sipas REL dhe VOA)