Gjermania i mbështet “vijat e kuqe” të KFOR-it për Urën e Ibrit

Prishtinë, 14 gusht 2024 – Gjermania i ka dhënë mbështetje paralajmërimeve të misionit të NATO-s në Kosovë kundër hapjes së urës kryesorer mbi lumin Ibër në Mitrovicë pa një marrëveshje politike.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë të mërkurën se i mbështet plotësisht “vijat e kuqe” të KFOR-it për urën.  Ai ka thënë se “veprimet e njëanshme të vitit të kaluar që çuan në lëndimin e ushtarëve të KFOR-it dhe të civilëve” s’duhet të përsëriten më. 

Rohde ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë parasysh këshillat e partnerëve ndërkombëtarë dhe ka shtuar se mirëpret koordinimin që ka përmendur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.   

“Mbështesim plotësisht NATO_KFOR dhe vijat e saja të qarta të kuqe përfshirë edhe ato lidhur me urën e Mitrovicës. Veprimet e njëanshme të vitit të kaluar, që shkaktuan lëndime të ushtarëve të KFOR-it + civilëve, nuk duhet të përsëriten. Këshillat ndërkombëtare duhet të merren parasysh. Nevojitet depërshkallëzim i retorikës; mirëpres koordinimin e përmendur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.

Të martën, KFOR-i ka thënë se çdo vendim në lidhje me Urën e Ibrit në Mitrovicë duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar dhe ka paralajmëruar se do të veprojë pa hezitim për të parandaluar çdo veprim që mund të cenojë sigurinë në Kosovë.
KFOR-i ka thënë se çështja e urës duhet të diskutohet në dialogun midis Kosovës e Serbisë në Bruksel.
(r.m.)