Berlin, 20 gusht 2021 – Prej të dielës, më 22 gusht 2021, Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të konsiderohen zona me rrezik veçanërisht të lartë për përhapjen e koronavirusit. Këtë e bëri të ditur instituti gjerman “Robert Koch” (RKI) të premten pasdite, në faqen e internetit.
Përveç këtyre dy vendeve, në listën e zonave me rrezik veçanërisht të lartë RKI shtoi edhe Brazilin, Republikën Dominikane, Greqinë (rajonet e Kretës dhe Egjeut Jugor) dhe Irlandën (rajonet kufitare dhe perëndimore), raporton DW.
RKI hoqi nga lista e zonave me rrezik veçanërisht të lartë Andorrën dhe disa rajone të Spanjës.
Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë njoftoi se, duke filluar nga data 22 gusht, udhëtarët që kanë qenë në një zonë me rrezik të lartë në 10 ditët e fundit duhet të regjistrohen në portalin www.einreiseanmeldung.de para se të nisen për në Gjermani dhe ta kenë me vete vërtetimin e regjistrimit në këtë portal.
Nëse nuk janë të vaksinuar ose të shëruar nga koronavirusi, ata duhet të kenë një test negativ. Në rast se nuk posedojnë test negativ, ata duhet të kalojnë 10 ditë në karantinë në Gjermani. Periudha e karantinës shkurtohet në 5 ditë për fëmijët nën moshën 12 vjeçare dhe për të rriturit që pas pesë ditësh pajisen me test negativ.
Nga ky rregull përjashtohen personat që kanë kaluar tranzit nëpër një zonë me rrezik të lartë si dhe personat që kalojnë tranzit nëpër Gjermani, pa ndalesa në këtë vend.
(r.m.)