Berlin, 26 shtator 2021 – Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.
“Situata në veri duhet të shtensionohet. I bëj thirrja të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Rruga më e mirë përpara: takohuni në Bruksel dhe gjeni zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.
The situation in the North needs deescalation. I urge both sides to talk to each other instead about each other. Best way forward: Meet in Brussels to find a way out as soon as possible
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) September 26, 2021
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme që të shkojë në Bruksel për të biseduar për këtë çështje, por një takim i tillë është refuzuar nga Serbia.
Për të shtatën ditë me radhë, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë të bllokuara nga serbët lokalë, të cilët po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat.
Që prej 20 shtatorit, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të largojnë targat dhe të përdorin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.
Më 25 shtator u shënuan dy incidente në veri të Kosovës, për të cilat Prishtina e akuzoi Serbinë. Autoritetet njoftuan se është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
(REL)