Berlin, 19mars3033 – Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, bëri të ditur se Gjermania do të shtojë angazhimin e saj ndërkombëtar për paqen. Ajo tha se veprimet agresive të Rusisë në Ukrainë e bënë të qartë nevojën e bashkëpunimit ndërkombëtar në planin e sigurisë
“Kur bëhet fjalë për çështje të luftës dhe paqes, kur bëhet fjalë për çështjet e së drejtës dhe të gabuarës, asnjë vend, madje as Gjermania, nuk mund të jetë neutral”, tha ajo, në fillimin e punës për një strategji të re të sigurisë kombëtare për Gjermaninë, në Berlin.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur merret parasysh historia gjermane”, theksoi ajo.
Ministrja Baerbock tha se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës po e përballë botën me një realitet të ri në planin e politikës së sigurisë.
“Në dritën e shkeljes masive të rendit dhe paqes nga Rusia, ne duhet t’i saktësojmë edhe më shumë parimet që na udhëheqin në politikën ejashtme”.
Një qëndrim i qartë, një aftësi më e fortë për të vepruar dhe instrumente të forta të politikës së jashtme dhe të sigurisë janë vendimtare.
Shefja e diplomacies gjermane tha se agresioni rus ndaj Ukrainës është një “pikë kthese gjeopolitike me efekte të gjera në sigurinë evropiane. Ajo theksoi se përkëtë arsye, gjatë zhvillimit të strategjisës së re të sigurisë kombëtare, Gjermania nuk duhet të mendojë për sigurinë duke shikuar nga e kaluara, por nga e ardhmja.
Baerbock e përshkroi “paprekshmërinë e jetës” si nëj nga tre elementët thelbësorë të një koncepti të ri të sigurisë. Ajo nënvizoi mbrojtjen nga lufta dhe dhuna, “siguria e lirisë së jetës sonë” në demokraci dhe “siguria e themeleve të jetës sonë”. Aty ku lufta fshin bazat e jetës, nuk mund të ketë siguri, tha Baerbock.
“Por edhe aty ku pasojat e ndryshimeve klimatike, uria, varfëria dhe mungesa e prosperitetit i detyrojnë njerëzit të vuajnë, nuk ka asnjë bazë për një jetë të sigurt në liri”, shtoi ajo.
“Lufta e Ukrainës tregon edhe një herë se siguria varet nga aftësia e NATO-s për të krijuar aleanca”, theksoi Baerbock.
Ajo theksoi se Gjermania duhet të marrë më shumë përgjegjësi brenda aleancës.
Baerbock ka thënë se strategjia e re e sigurisë duhet të bazohet në një politikë të jashtme të orientuar drejt vlerave. Duhet të jetë mbrojtja së bashku e vlerave dhe e interesave, tha ministrja. Qëllimi është të formësohet politika e jashtme “me një busull të qartë vlerash në dorë”.
Në të njëjtën kohë, ministrja e Jashtme gjermane paralajmëroi se gjermanët duhet “të përballen intensivisht me varësitë e tyre ekonomike”. “Tani po përjetojmë se një orientim i njëanshëm ekonomik po na bën të pambrojtur.” Dështimet në furnizim me produkte gjatë luftës në Ukrainë do të jenë “të rënda”, ndër tjerash për shkak se Ukraina nuk do të jetë në gjendje të dërgojë grurë në vendet e Afrikës.
Gjermania duhet të bëhet e pavarur nga importet e energjisë fosile, por nuk duhet të bjerë në varësi të reja. “Sigurisht që ne duhet të flasim edhe me regjimet autoritare,” tha Baerbock.
“Thelbësore është që ne të mos lejojmë që dikush të na e mbyllë gojën, që të mos i gëlltisim gjërat, sepse jemi të varur ekonomikisht, por të mbajmë një qëndrim, edhe kur është e vështirë”, shtoi ajo.
Baerbock, në ministrinë e të cilës do të zhvillohet strategjia e sigurisë, njoftoi se procesi do të hartohet në bashkëpunim me ministritë federale, së bashku me grupet parlamentare në Bundestag dhe me partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë. Qeveria federale do të hartojë edhe një strategji të re ndaj Kinës.
Strategjia gjermane e sigurisë duhet të lidhet me përpjekjet përkatëse në nivel të BE-së dhe NATO-s. Qeveria në Berlin ka konstatuar edhe në programin e saj qeverisës se “do të paraqesë një strategji gjithëpërfshirëse të sigurisë kombëtare në vitin e parë të qeverisë së re federale”. Ky është projekti i parë i këtij lloji në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë.
(Sipas DW.de)