Gjermania zoton 37 milionë euro për përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian

Prishtinë, 7 dhjetor 2022 – Ministria e Financave e Kosovës ka njoftuar se Gjermania ka ndarë 37 milionë euro ndihmë për Kosovën, për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm.

“Me përfundimin e negociatave ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Gjermanisë për bashkëpunim zhvillimor, pala gjermane është zotuar që do ta vazhdojë mbështetjen financiare ndaj Kosovës në vlerë prej 37 milionë euro për periudhën 2022-2023. Me këtë zotim, mbështetja gjermane për bashkëpunim zhvillimor arrin shumën prej 64.42 milionë euro që nga dhjetori 2020, kur edhe janë mbajtur negociatat e fundit qeveritare”, thuhet në njoftim.

Ministria e Financave ka thënë se Kosova dhe Gjermania janë pajtuar të intensifikojnë bashkëpunimin në fushë të zhvillimit dhe t’i adresojnë së bashku sfidat kryesore të së ardhmes.

“Prioritetet e bashkëpunimit zhvillimor përfshijnë: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, trajnimin dhe punësimin, ndryshimet klimatike dhe energjinë, tranzicionin e drejtë dhe qeverisjen e mirë”, thuhet në njoftim.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se ky është një katull i ri në partneritetin midis dy vendeve.

“Sot të dyja vendet tona po hapin një kapitull të ri të partneritetit tonë të palëkundur për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Me këtë ne mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, tha Rohde.

Ministri Hekuran Murati tha se Gjermania ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetëse e fuqishme e zhvillimit të Kosovës. Ai theksoi se gjermania do të mbështesë Kosovën në rrugëtimin drejt Bashkmit Evropian.

 (r.m.)