Gjiknuri deklarohet kundër vettingut të politikanëve

Tiranë, 2 nëntor 2021 – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, është shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapte rrugë vettingut të politikanëve, të inicuar nga Partia Demokratike.

Sipas tij, Shqipëria ka legjislacion të mjaftueshëm për pastërtinë e figurës.

“Unë e dhashë përgjigjen time pak më parë. Shqipëria ka legjislacion të mjaftueshëm për pastërtinë e figurës së politikanëve. Ne kemi ILD, KPI për deklarimin e pasurisë, është ligji i dekriminalizimit si dhe është dhe vota e qytetarëve në fund”, ka thënë ai.

Gjiknuri, i cili është bashkëkryesues i grupit punues për Reformën Zgjedhore, ka folur edhe për këtë proces. Ai ka thënë se reforma do të bëhet duke i respektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

“Unë në fakt pres të vijë opozita dhe të caktojnë dhe njerëzit e tyre për Reformën Zgjedhore. Ka një eksperiencë si nis Reforma Zgjedhore. Ajo nis nga rekomandimet e OSBE-ODHIR-it. Ne i kemi tashmë rekomandimet e OSBE-ODHIR dhe le të fillojmë nga puna”, ka thënë Gjiknuri.

Ai ka thënë se Partia Socialiste është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në të gjitha bashkitë në të cilat do të shpallen ato nga Gjykata Kushtetuese.

“Patjetër që Partia Socialiste është e gatshme të konkurojë në të gjitha bashkitë ku do të ketë zgjedhje”, ka thënë Gjiknuri.

(r.m.)