Gjuha shqipe është identiteti ynë kombëtar në Diasporë

Nga Keze Kozeta Zylo

Pa Gjuhën Shqipe nuk mund të kemi identitet jo vetëm në Atdheun mëmë, por kudo ku ka Diasporë. 

Kur vendin e lamë dhimbshëm përmes flakëve përpirëse të 97-ës, përmes luftës vëllavrasëse,  përmes shkatërrimit barbar natyrshëm me vehte morëm një copëz shqipërie që nuk do të na hiqet kurrë deri në frymën e fundit.

Në metropolin e Nju Jorkut ndër më të mëdhenjtë botëror ku jetojnë më shumë se

250 000 shqiptarë ka qenë shumë e domosdoshme ngritja e shkollave shqipe për t’ju mësuar fëmijëve lindur dhe rritur në emigrim Gjuhën Shqipe.  Duke marrë pjesë si media në shumë aktivitete të rëndësishme të Diasporës ndjeja dhimbje dhe përgjegjësi të veçantë kur shikoja që moderatorët, apo shumë fëmijë dhe të rritur nuk flisnin Gjuhën Shqipe. 

Këto perballje dhe vështirësi të shumta të bënin të ndjeje detyrën kombëtare, thirrjen e gjakut për të hyrë në Misionin Kombëtar mësimin e Gjuhës Shqipe si ruajtje të identitetit kombëtar. 

Konkretisht me hapjen e Shkollës së parë Shqipe “Alba Life” në Staten Island ku dhe e quajmë si fidanishten e parë të saj u përhapën në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe pas Covidit vazhdojmë të kemi mësim dhe në Online. 

Aspak nuk është e lehtë të punosh dhe të jesh në këtë Mision Kombëtar, pasi do një përkushtim maksimal profesionalisht dhe atdhetarisht, veçanërisht duke shfrytëzuar fundjavat së bashku me mësueset që sakrifikojnë aq shumë.

Janë shumë probleme që përballemi, pasi shumë prindër nuk kanë mundësi për t’i sjellë fëmijët e tyre për shkak të angazhimit të punërave të tyre të shumta, ose ka disa prindër që më shumë preferojnë t’i çojnë në aktivitete sportive se t’i sjellin pranë shkollave shqipe. 

Prinder të tjerë frikësohen se mos mësimi dy gjyhësh i konfuzon fëmijët dhe ngelen pas me mësimin.  Pikërisht për këto opinione qe i hasim shpesh ndër prindër veçanërisht me dygjuhësinë del nevoja e edukimit cilësor, puna e medieve serioze, e gjuhëtareve.  Sipas Gjuhëtarit të shquar botëror i njohur për kontributin e tij në gjuhësi dhe psikologjinë njohëse Frank Smith mendohet se dy gjuhësia është e domosdoshme dhe zhvillim i mëtejshëm i trurit.  Ai thotë se: “Një gjuhë të vendos vetëm në një korridor për jetën. Dy gjuhë të hapin çdo derë gjatë rrugës.”

Atëhere le të mendojmë dhe të punojmë për t’ju mësuar brezave që lindin dhe rriten në Diasporë gjuhën e nënës, e cila është jo vetëm për identitetin kombëtar që është e para, por ndërkohë mësimi i saj sjellë dhe zhvillimin dhe hap dritare për të parë botën më mirë.

Nuk mund të mohohen përpjekjet e shumta në Diasporë sidomos këto vitet e fundit dhe ka një levizje dhe i përgëzoj me shpirt, por përsëri këto nuk mjaftojnë se pas dyerve të këyre shkollave ka me mijëra fëmijë që nuk marrin pjesë aktivisht.

Shumë prindër nuk ju flasin fëmijëve në shtëpitë e tyre gjuhën shqipe, por gjuhën në të cilën jetojnë dhe punojnë dhe patjetër kjo nuk i shërben mësimit të gjuhes shqipe.  Diaspora po rritet shumë, pasi emigrimi marramendës ka bërë që më shumë janë jashtë shqipërie se brenda saj. 

Duke pasur një përvojë të jashtëzakonshme 18 vjeçare me Shkollat Shqipe “Alba Life” dhe me një sukses gjithmonë në rritje kam kërkuar vazhdimisht kur më është dhënë mundësia në mediet e Shqipërise, zyrtarëvë të lartë, kur kanë vizituar shkollat që Gjuha Shqipe duhet të insititucionalizohet dhe të punohet fort për ta vendosur gjuhën shqipe ndër shkollat amerikane, flas për shkollat amerikane meqënse dhe e njoh më mirë sistemin arsimor dhe edukues të saj.

Gjuha Shqipe është shenja dalluese dhe na bën të jemi krenarë kudo ku jetojme si shqiptarë.

Ajo ngjizet bashkë me qumështin e nënës.

Shpesh përmendja e gjuhës shqipe është bërë për fushatë dhe për kredite personale si nga politikanë shqiptarë po ashtu dhe nga shqiptaro- amerikanë. 

Së bashku duhet të punojmë fort me mendje dhe zemër për ta permirësuar dhe për ta luftuar asimilimin e miliona shqiptarëve në botë.  Kjo bëhet vetëm bashkë, duke shkëmbyer përvojën dhe duke i dhënë pjesën secilit atë që i takon, jo me klane, me krahmarrje, militantizëm partirash dhe interesa meskine.  Është mjerane kur dëgjon nëpër mediume, nëpër ekrane për gjuhën shqipe nga njerëz pa shumë kontribute, por i reklamojnë sikur po bëjnë namin për mësimin e gjuhës shqipe dhe ajo më e dhimbshmja është se i vënë në krye të mësimit të gjuhës shqipe pa i zgjedhur kush, pa i votuar asnjë, veç kur mbijnë si kërpudha pas shiut dhe dalin nismëtarë dhe triumfatorë. 

Gjuha shqipe nuk ka nevojë për karshillëk, nuk ka nevojën për unin, ajo ka nevojë të ulim kokën dhe të punojmë fort, pasi bash në sytë tanë po humbet ndër fëmijët shqiptarë.  Në vend që të shqetësohemi për këtë pikë të rëndësishme, nevralgjike për kombin, shqetësohemi kush të marrë poste, kush të hedh shashka tymuese ndër vite dhe të dali në krye të shkollave siç e thashë më sipër pa i votuar kush.

Nëse del në mediume dhe flet për gjuhën shqipe, por idetë ndër vite nuk të janë realizuar, atëhere e ke humbur reputacionin dhe të ndjekin pas vetëm të dështuarit. 

Prandaj kur flitet per institucionalizimin e saj duhet të jetë një punë e përbashkët me kontribuesit kryesor me një reputacion të madh në Diasporë, larg servilizmave, militantizmit dhe dukjeve që veçse e dëmtojnë dhe nuk e ndihmojnë Misionin Kombëtar.  Sigurisht këto shqetësime kanë vend në një shkrim dhe diskutim tjetër me mësues profesionistë të përkushtuar që kanë si qëllim mësimin dhe punën jo pozitat për të qenë në krye pa qenë fare e nevojshme për t’i pasur nëpër këmbë sepse veç ngatërrojnë dhe shqetësojnë misionarët e devotshëm.  Këto raste që fatkeqësisht i kemi ndjerë dhe parë me sytë tanë duhet të eleminohen dhe të veprohet në bazë të meritokracisë. 

Meritokracia brenda arsimit, mësimit të gjuhës shqipe është besimi se mundësitë dhe rezultatet arsimore duhet të bazohen në merita. Puna në Diasporë duhet të shpërblehet në bazë të aftësive, dhe arritjeve të tyre dhe jo faktorëve të tjerë si privilegji apo servilizmi.

Si bashkëthemeluese, mësimdhënëse dhe anëtare aktiv në Diasporë shqetësohem fort që mijëra fëmijë nuk flasin shqip, pasi të jeni të sigurt se mësimi i Gjuhës Shqipe i lidh më fort me trungun amë dhe i bën më shumë kontribues në çështjen kombëtare.  Gjuhën Shqipe duhet ta gezojnë të gjithë brezat ashtu siç thotë burri i ndritur i Kombit At Gjergj Fishta:

Edhe shqyp na thanë se Zoti,

për shqyptarë Shqypninë e fali,

se sa t’enden stina e moti,

do ta gzojn kta djalë mbas djali.

Me këto vargje brilante për Gjuhen Shqipe frymëzohemi sepse Gjuha shqipe është identiteti ynë kombëtar në Diasporë.

Autorja e shkrimit është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

15 Nëntor, 2024

New York