Gjuha shqipe – element thelbësor i identitetit kombëtar të shqiptarëve

Prof. dr Skender ASANI

(Me rastin e Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare)

 

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur nga UNESCO më 21 shkurt 1999, ka një domethënie të veçantë për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhëve, veçanërisht në një botë ku globalizimi shpesh rrezikon gjuhët më të vogla. Kjo ditë shërben si një moment reflektimi mbi rëndësinë e gjuhëve amtare jo vetëm për identitetin kombëtar e kulturor, por edhe për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe të hapur.

Gjuhët nuk janë ishuj të izoluar në shoqëritë moderne. Përkundrazi, gjuhët historikisht, përveç mesazheve të ndryshme, kanë bartur edhe mvetësitë etnopsikologjike e kulturotre të popujve të ndryshëm. Prandaj, shumëgjuhësia nuk duhet parë si  pengesë, por si një mundësi për të ndërtuar ura komunikimi mes njerëzve dhe kulturave. Historia na mëson se qytetërimet më të zhvilluara kanë qenë ato që kanë njohur dhe respektuar gjuhët e njëra-tjetrës, duke nxitur kështu shkëmbimin kulturor, ekonomik dhe tregtar. Në këtë kontekst, përdorimi dhe njohja e gjuhëve të ndryshme nuk është thjesht një nevojë administrative, por një domosdoshmëri për harmoninë dhe bashkëjetesën shoqërore.

Në Maqedoninë e Veriut, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është një hap i rëndësishëm drejt garantimit të të drejtave gjuhësore dhe respektimit të diversitetit kulturor. Sfidat e zbatimit të këtij ligji nuk duhet parë si vështirësi të pakapërcyeshme, por si një mundësi për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Është e rëndësishme që institucionet dhe bota akademike të bashkëpunojnë për të gjetur mënyra më efikase për zbatimin e shumëgjuhësisë në realitetin e përditshëm.

Respektimi i gjuhëve të tjera nuk cënon identitetin gjuhësor të askujt. Përkundrazi, ai ndihmon në ruajtjen dhe forcimin e gjuhëve duke i bërë ato pjesë të një procesi të natyrshëm komunikimi. Për shembull, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, funksionimi normal i gjuhës shqipe në institucionet shtetërore nuk duhet të shihet si një favor, por si një e drejtë e natyrshme që forcon barazinë dhe harmoninë shoqërore.

Në epokën e globalizimit dhe teknologjisë, është e domosdoshme që përfitimet e komunikimit të avancuar të reflektohen edhe në marrëdhëniet ndërgjuhësore. Një shoqëri moderne nuk mund të përparojë pa respektuar gjuhën dhe kulturën e tjetrit. Ligjet janë mjete juridike që rregullojnë të drejtat, por është në dorën e njerëzve të dijes dhe institucioneve shkencore të krijojnë një qasje që i përshtatet standardeve të botës së qytetëruar.

Gjuha amtare është një pjesë thelbësore e identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore. Ruajtja dhe promovimi i saj nuk janë vetëm detyra të institucioneve, por edhe të vetë individëve dhe shoqërisë në tërësi. Nëse respektojmë dhe njohim gjuhët e njëri-tjetrit, atëherë kemi bërë hapin e parë drejt një shoqërie më të hapur, më të drejtë dhe më të zhvilluar.

Realiteti shumetnik e shumkulturor në vendin tonë, nuk lejon kurrfarë arbitrariteti gjuhësor. Përkundrazi, gjuha e një kombi është vet historia dhe tradita e tij dhe çdo mohim i saj është mohim i ekzistencës së atij kombi.

 

Shkup, 21 shkurt 2025

Comment

*