Podgoricë, 18 dhjetor 2022 – Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, është deklaruar edhe një herë kundër nismës “Ballkani i Hapur”.
Ai ka thënë se nismat rajonale janë të mirëseardhura, nëse ato çojnë në një qëllim strategjik që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
“Të gjitha nismat rajonale, dhe janë mbi 30 të tilla, janë terrene trajnimi ku ne trajnojmë kapacitetet tona për nivelin e konkurrencës që duhet të kemi në tregun evropian. Sigurisht, seancat stërvitore kanë kuptim, nëse kemi një trajner evropian, i cili na ndihmon të miratojmë rregullat e sjelljes dhe standardet, duke përfshirë gatishmërinë tonë për t’i respektuar ato standarde”, ka thënë Gjukanoviq.
“Kur bëhet fjalë për Malin e Zi, do të duhej të ktheheshim në raport me standardet evropiane tashmë të arritura dhe t’i përshtatemi bashkëpunimit sipas rregullave rajonale të Ballkanit”, ka shtuar ai.
Gjukanoviq ka theksuar se Mali i Zi e ka përcaktuar qartë qëllimin e tij – anëtarësimin në BE dhe jo ndojë alternativë të anëtarësimit.
“Kjo është arsyeja pse ne besuam se dy iniciativat ekzistuese, CEFTA dhe Procesi i Berlinit, janë më se të mjaftueshm, se ato na detyrojnë të miratojmë sistematikisht standardet evropiane”, ka thënë Gjukanoviq.
Ai ka thënë se Mali i Zi ka bërë progres serioz dhe se ka shkuar më larg në procesin e anëtarësimit në BE, para se të shfaqej nisma “Ballkani i Hapur”.
Sipas tij, kjo nismë u inicua nga persona që në atë moment e humbën besimin në procesin e anëtarësimit në BE dhe filluan të kërkojnë alternativë.
Gjukanoviq ka thënë gjithashtu se marrëveshjet e nënshkruara deri më sot nga tri shtetet anëtare të nismës “Ballkani i Hapur”, nuk janë ratifikuar ende në parlamentet e këtyre vendeve.
(r.m.)