Gjukanoviq për “Ballkanin e Hapur”: Nuk kemi nevojë për alternativë, kemi nevojë për anëtarësim në BE

Berlin, 17 maj 2022 – Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se pjesa më e madhe e problemeve në Ballkanin Perëndimor burojnë nga konfuzioni në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me rajonin.

Ai ka thënë se këto probleme janë përdorur nga palë të treta që i kundërshtojnë interesat për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Gjukanoviq ka thënë se Mali i Zi dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ka nevojë për një mesazh të qartë se ato e kanë vendin në Bashkimin Evropian.

Presidenti malazez, për dallim nga kryeministri Dritan Abazoviq, është shprehur kundër nismës “Ballkani i Hapur”, të inicuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ne kemi qëndrime të ndryshme për këtë iniciativë. Unë kam dëgjuar shumë herë prej tij (Abazoviqit) mbështetje për të gjitha nismat rajonale, përfshirë edhe këtë (Ballkanin e Hapur). Gjithashtu, e kam thënë shumë herë se nuk mendoj se kjo është një nismë optimale. Unë atë e shoh më shumë si njëfarë kopje të Procesit të Berlinit. Dallimi midis tyre është shumë i dukshëm. ‘Procesi i Berlinit’ i bashkon të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ‘Ballkani i Hapur’ vetëm tri prej tyre. ‘Procesi i Berlinit’ bazohet në standardet evropiane, është komplementar me procesin e anëtarësimit. ‘Ballkani i Hapur’ nuk insiston në standardet evropiane”, është shprehur Gjukanoviq.

Ai ka theksuar se “Ballkani i Hapur” nuk është alternativë për  anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Nuk mendoj se kemi nevojë për alternative. Kemi nevojë për anëtarësim. Prandaj, është e natyrshme që ne të vazhdojmë me shpejtësi procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Unë besoj se kjo qeveri do ta bëjë këtë dhe se së shpejti do të zhbllokojmë procesin e negociatave në fushën e sundimit të ligjit dhe kështu do të fillojmë të mbyllim kapitujt e negociatave dhe t’i japim vetes një vrull të mirë në atë rrugë, me pjesëmarrje të plotë në Procesin e Berlinit. Unë besoj se Mali i Zi do të vlerësojë avantazhin që kemi ndërtuar në periudhën e kaluar dhe do të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i ka bërë këto komente në Berlin, pas takimit me homologun e tij gjerman, Frank Walter Steinmeier.

(r.m.)