Tiranë, 24 janar 2023 – Gjykata Administrative e shkallës së parë të Tiranës vendosi të mos pranojë padinë e depozituar në nëntor 2022 të dy organizatave mjedisore shqiptare, “PPNEA” dhe “AOS”, me mbështetjen e organizatës ndërkombëtare “EuroNatur”, që kundërshtonte planin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës në lagunën e Nartës.
“Padia prej 1400 faqesh u shqyrtua nga një gjykatës i vetëm në një seancë prej 7 minutash me dyer të mbyllura dhe sipas gjyqtarit, organizatat si palë paditëse, nuk legjitimohen për të kundërshtuar ligjërisht lejen e ndërtimit në zonën e mbrojtur pasi nuk ndikohen nga ky zhvillim”, njoftuan përmes një deklarate të përbashkët, organizata PPNEA dhe AOS.
Organizatat thanë se do ta apelojnë vendimin e shkallës së parë në Gjykatën Administrative të Apelit.
Në dhjetor të vitit 2022, organizatat mjedisore shqiptare me mbështetjen e “Euro Natur”, depozituan edhe një apelim tjetër, kundër rishikimit nga qeveria të kufijve të Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Ky rishikim, sipas organizatave nuk bazohet mbi procedura ligjore dhe është bërë në mungesë të konsultimeve publike dhe justifikimeve faktike për zvogëlimin e sipërfaqes së zonës së mbrojtur.
Organizatat pohuan se kontrolluan në Sistemet e Informacionit Gjeografik (GIS), që sipas dokumentit qeveritar tregojnë zonën me kufijtë e rishikuar dhe sipas koordinatave të dhëna, aeroporti i planifikuar ndodhet përsëri brenda të Zonës së Mbrojtur, duke vazhduar ndërtimin në thyerje të ligjit.
Disa nga koordinatat e listuara në dokumentin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, ndodhen shumë larg Shqipërisë, në shtetet e Lindjes së Mesme, pohuan organizatat.
Qeveria shqiptare nga ana e saj ka deklaruar se projekti për të ndërtuar aeroportin e Vlorës nuk prek zonën e mbrojtur të Nartës, por përkundrazi i jep zhvillim turizmit dhe gjithë qarkut.
Sipas autoriteteve qeveritare në thelb projekti parashikon investim në zonën ku dikur ka qenë aeroporti i vjetër dhe janë parë mundësitë që projekti të respektojë rregullat për mjedisin.
Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi në nëntor të vitit 2021 dhe po kryhet nga një konsorcium kompanish, ku 50% e aksioneve zotërohen nga “Mabetex” e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, “Yda Group”, e cila ka 48% të aksioneve, ndërsa 2% i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”.
Aeroporti i Vlorës do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2024 me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 104 milionë euro.
Dhjetorin e vitit të shkuar, Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës u kërkoi autoriteteve shqiptare pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe ndërmarrjen e një programi gjithëpërfshirës të monitorimit të jetës së egër dhe rishikimin e të dhënave të Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për zonën ku po ndërtohet aeroporti.
Sipas dokumenteve të miratuara në mbledhjen vjetore të Komitetit të mbledhur në Strasburg, kërkesa drejtuar autoriteteve shqiptare për pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës vjen për shkak të mungesës së dukshme të respektimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Konventa e Bernës e njohur ndryshe edhe si Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitatet Natyrore Evropiane është një instrument juridik detyrues ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së natyrës.
(Raimond Kola, Zëri i Amerikës)