Gjykata e Apelit ul për tre muaj dënimet për Gucatin e Haradinajn

Hagë, 2 shkurt 2023 – Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë vendosi sot që të ulë për tre muaj dënimet me burgim për ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Dënimet e njësuara, sipas Apelit, do të jenë prej 4 vjetësh e tre muaj burgim dhe paneli i Apelit tha se koha e qëndruar në paraburgim do t’u llogaritet në dënim.

Më 18 maj 2022, Gucati dhe Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë, duke u dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim.

Që të dy janë në paraburgim në Hagë që nga shtatori i vitit 2020.

Paneli i Apelit, gjatë senacës të mbajtur më 2 shkurt, tha se Gucati kishte paraqitur 20 arsye dhe disa pika, ndërkaq Haradinaj 24 arsye të tjera.

Nga to, Paneli pranoi vetëm një prej tyre, për pikën gjashtë të aktakuzës për zbulimin e paautorizuar të identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur.

Paneli pranoi një prej pikave të apelit të të akuzuarve që kishin të bënin me një person që publikisht kishte pranuar se po bashkëpunon me prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Paneli i Apelit gjykon se konstatimet me frikën dhe shqetësimin e këtij personi, shkaktuar nga përmendja e emrit të tij publikisht si dëshmitar, nuk bazohen në provat e disponueshme në këtë çështje gjyqësore”, tha paneli i Apelit.

Po ashtu, Apeli vlerësoi se gjykata kishte gabuar kur kishte bashkuar disa vepra penale në një të vetme, por vlerësoi se një gjë e tillë nuk ndikoi në dënimin e shqiptuar në shkallën e parë.

Ndryshe, avokatët e Gucatit dhe Haradinaj menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit në shkallën e parë kishin apeluar vendim, duke thënë se presin zvogëlim të dënimit.

Ata kishin argumentuar se një dënim i tillë “është dukshëm i tepërt dhe përtej ndonjë dënimi të shqiptuar më përpara në ndonjë tjetër rast të krahasueshëm”.

Haradinaj dhe Gucati u arrestuan më 5 shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë janë në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata dyshohej se po atë vit, përmes disa konferencave për media, në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kishin shpërndarë për gazetarët dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati dhe Haradinaj kishin zbuluar informacion të mbrojtur, duke synuar që të zbulonin qindra dëshmitarë apo dëshmitarë të mundshëm të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Prokuroria e Specializuar ka argumentuar se me shqiptimin e dënimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt është “vendosur drejtësi”.

“Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit”, kishte deklaruar prokurori i atëhershëm i Specializuar, Jack Smith.

Në aktakuzë kundrë thuhej se dokumentet që u shpërndan nga Gucati dhe Haradinaj, kanë pasur emra të dëshmitarëve potencialë të cilët do të mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-krerëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Këta të fundit akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe pritet që gjykimi ndaj tyre të nisë në mars.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty.

Gjykata ka selinë në Hagë, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

(REL)