Gjykata e Lartë lë në fuqi masën “arrest me burg” për ish-presidentin Meta

Tiranë, 27 shkurt 2025 – Gjykata e Lartë vendosi të enjten më 27 shkurt të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Po ashtu, në fuqi mbeti edhe masa “detyrim paraqitje” e caktuar ndaj Monika Kryemadhit.

Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, u arrestua më 21 tetor të vitit të kaluar me kërkesë të Porkurorisë së Posaçme, SPAK. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion, për pastrim parash dhe mosdeklarime e fshehje të pasurisë.

Ata i kundërshtuan në Apel masat e sigurimit të caktuara në Shkallën e Parë, duke kërkuar revokimin e masës ose në alternativë hetim në gjendje të lirë. Por, argumentetet e tyre nuk u gjetën bindëse nga Gjykata e Posaçme e Apelit që vendosi më 19 nëntor të lërë në fuqi arrestin në burg për Metën dhe detyrim paraqitje për Kryemadhin.

Edhe Gjykata e Lartë njoftoi të enjten se u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Posaçme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj dy të hetuarve.

Meta dhe Kryemadhi dyshohen nga Prokuroria e Posaçme për vepra penale të korrupsionit në lidhje me çështjen CEZ- DIA, për favorizimin e dy biznesmenëve dhe problemet e dyshuara me pasurinë.

Në mbrojtjen e tij, të publikuar më parë dhe në faqen online të Partisë së Lirisë, Meta ngriti pretendime për secilën çështje për të cilën akuzohet. Për çështjen CEZ-DIA, ai pretendoi se denoncuesit gënjenin për qëllime politike dhe ekonomike. Meta e konsideroi absurd konstatimin e SPAK për veprime të paligjshme për ndërhyrje në një ligj për minierat. Meta hodhi gjithashtu poshtë dyshimet e ngritura për lobimin në Shtetet e Bashkuara apo për marrëdhëniet me një biznesmen, si dhe i cilësoi tendencioze dyshimet për mosdeklarimin e shpenzimeve.

Nën hetim për të njëjtat akuza është edhe deputetja Monika Kryemadhi, bashkëshorte dhe bashkëpunëtore e Ilir Metës me të cilin ndodhet aktualisht në proces divorci.

(Reporter.al)

Comment

*