Uashington, 1 korrik 2024 – Gjykata e Lartë zgjati më tej vonesat në gjyqin penal në Uashington ndaj ish-presidentit Donald Trump, në lidhje me akuzat për përpjekjet për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020, duke i dhënë pothuajse fund mundësisë që të zhvillohej një proces gjyqësor përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Në një vendim historik, 6 me 3, anëtarët e Gjykatës së Lartë u shprehën për herë të parë se ish-presidentët kanë imunitet absolut nga hetimet për veprimet e tyre zyrtare, si dhe asnjë lloj imuniteti për veprimet jozyrtare. Por, anëtarët e Gjykatës së Lartë ia lanë gjykatës së nivelit më të ulët mënyrën se si do ta zbatonin këtë vendim në rastin e ish-presidentit Trump.
Vendimi i sotëm nënkupton vonesa të mëtejshme përpara se ish-presidenti Trump të përballet me një proces gjyqësor për padinë e ngritur nga prokurori i posaçëm Jack Smith.
Vendimi i Gjykatës së Lartë është i dyti që ka të bëjë me ish-presidentin Trump. Më herët, Gjykata e Lartë vendosi në lidhje me përpjekjet për ta hequr ish-presidentin nga kandidimi në shtete të caktuara për shkak të veprimeve të tij pas zgjedhjeve të vitit 2020. Të dyja këto vendime nxjerrin në pah ndikimin e drejtpërdrejtë që Gjykata e Lartë ka në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Ky është vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë për këtë sesion pune dhe u mor gati dy muaj pasi gjykata dëgjoi argumentet e palëve, një ritëm më i ngadaltë nga ç’është vepruar në të kaluarën për çështje madhore që kanë patur të bëjnë me presidencën, si p.sh. çështjen e skandalit të Uotergeitit.
Ish-presidenti Trump shkruajti me gërma të mëdha shtypi në rrjetin e tij të mediave sociale, pasi pasi ishte njoftuar vendimi: “FITORE E MADHE PËR KUSHTETUTËN DHE DEMOKRACINË TONË. KRENAR QË JAM AMERIKAN!”
Ish-presidenti Trump ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje dhe ka thënë se ky proces hetimor, ashtu si edhe tre procese të tjera hetimore ndaj tij, janë të motivuara politikisht dhe se janë përpjekje për të ndalur rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Në muajin maj, zoti Trump u bë ish-presidenti i parë amerikan i shpallur fajtor për vepra penale, në një gjykatë në Nju Jork. Ai u gjend fajtor për falsfikim të të dhënave të biznesit, në lidhje me pagesat e bëra përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë që thotë se ka patur marrëdhënie seksuale me të. Ish-presidenti i mohon akuzat në lidhje me këtë rast dhe tashmë përballet edhe me tre procese të tjera gjyqësore.
Prokurori i posaçëm Smith drejton dy hetime federale ndaj ish-presidentit, nga të cilat janë ngritur tashmë akuza penale. Padia në Uashington përqëndrohet tek akuzat për përpjekjet e ish-presidentit Trump për përmbysjen e humbjes në zgjedhjet e vitit 2020 përballë demokratit Joe Biden. Padia në Florida ka të bëjë me menaxhimin e dokumenteve të klasifikuara. Çështja tjetër në Xhorxhia përqëndrohet gjithashtu tek veprimet e ish-presidentit Trump pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2020.
Gjyqi në Uashington ishte planifikuar fillimisht për të filluar në 4 mars, por kjo ishte përpara se të bëheshin përpjekjet për shtyrje dhe për një shqyrtim të plotë nga Gjykata e Lartë. Përpara se të përfshihej në këtë proces Gjykata e Lartë, një gjykatëse e nivelit më të ulët në dhjetor, si dhe një trupë gjyqësore prej tre gjykatësish në shkurt, patën vendosur unanimisht se zoti Trump mund të procedohej për veprimet e ndërmarra gjatë mandatit si president përpara ngjarjeve të 6 janarit.
(Zëri i Amerikës)