Gjykata e Lartë urdhëron SPAK-un të hetojë vrasjen e protestuesve më 21 janar 2011

Tiranë, 12 mars 2023 – Gjykata e Lartë vendosi të martën të prishë vendimet e mëparshme të gjykatave dhe të urdhërojë SPAK të regjistrojë procedim penal për kallëzimin e familjes Nika, ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha. Të afërmit e Aleks Nikës, njërit prej protestuesve të vrarë para kryeministrisë në protestën e Partisë Socialiste më 21 janar 2011, akuzojnë Berishën, Bashën dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi se urdhëruan të qëllohej me armë ndaj pjesëmarrësve në protestë.

Pasi dëgjoi palët, përfshi kundërshtimin e SPAK që u përfaqësua në seancë nga prokurori Alfred Shehu, trupa e kryesuar nga Ilir Panda me anëtarë Sokol Binaj dhe Sandër Simoni vendosi të pranojë kërkesën e familjes dhe të urdhërojë SPAK të regjistrojë kallëzimin penal.  Gjykata arsyetoi se fakti që një hetim po zhvillohej nga Prokuroria e Tiranës nuk e pengonte SPAK të bënte hetimet e tij dhe se vetëm pas hetimeve dhe pasi të arrihej në konkluzion a kishte apo jo elementë të veprës penale referuar kallëzimit, mund të vendosej mbi çështjen.

“Ndryshimin e vendimit nr. 92, datë 21.06.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vendimit nr. 107, datë 29.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – gjyqtarit për hetimet paraprake pranë asaj gjykate dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes, duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Familjarët e viktimave të 21 janarit kanë pretenduar se Prokuroria e Tiranës që po kryen hetime mbi këtë rast nuk ishte e besueshme. Prokuroria u sulmua edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë përkujtimit të ngjarjes në 21 janar të këtij viti. Prokuroria e Tiranës megjithatë pretendon se hetimet janë në vijim.

Aleks Nika ishte një nga katër viktimat e protestës së dhunshme të 21 janarit 2011, kur mbështetësit e Partisë Socialiste, në atë kohë në opozitë, u përplasën me Policinë dhe Gardën e Republikës përpara selisë së Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Protesta ishte thirrur nga Partia Socialiste pas publikimit të një videoje, ku ministri i Jashtëm i kohës, Ilir Meta, akuzohej se po diskutonte një aferë korruptive.

Si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga ana e Gardës së Republikës, më 21 janar 2011 përveç Aleks Nikës, u vranë dhe  Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, si dhe u plagosën 10 protestues të tjerë.

Për vrasjen e Dedës, Myrtajt dhe Veizit, Prokuroria procedoi penalisht ish komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo, duke kërkuar dënimin e tyre me 23 vjet dhe 25 vjet burgim respektivisht.  Me 18 shtator 2013, Gjykata e Apelit në Tiranë e dënoi Prendin me 1 vit heqje lirie dhe Llupon me 3 vjet, duke arsyetuar se vrasjet ishin bërë nga pakujdesia. Vendimi kontrovers solli reagime të ashpra.

Ndërkohë vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosja me armë zjarri e 6 personave të tjerë, gjatë protestës së Partisë Socialiste para kryeministrisë, ka mbetur pa autorë dhe prokuroria e pati pezulluar atë për vite me radhë në kërkim të provave.

Vendimi i Gjykatës së Lartë vjen pasi në nëntor 2023 Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ,  gjeti se hetimet e mangëta të kësaj ngjarje kishin cënuar të drejtën e jetës së viktimave.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në vendim e saj në nëntor 2023 i kërkon Shqipërisë që “të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit për vrasjen e të afërmit të kërkueseve gjatë protestës së vitit 2011 përpara Kryeministrisë”. GjEDNj gjeti po ashtu se hetimet ishin penguar nga qeveria e kohës dhe specifikisht ish-kryeministri Sali Berisha dhe kërkoi që hetimet e ngjarjes duhej të përfshinin zinxhirin komandues të Gardës së Republikës dhe jo vetëm oficerët që hapën zjarr.

(Reporter.al)