Tiranë, 12 prill 2023 – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen penale në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Lezhës Fran Frroku dhe 10 ish-zyrtarëve të tjerë të akuzuar për tjetërsimin e pronave.
Në themel, çështja do të gjykohet me gjykim të shkurtuar, pasi GJKKO pranoi kërkesën e avokatëve mbrojtës të personave të vënë nën akuzë.
Hetimet për tjetërsimin e pronave nisën në vitin 2019-të, kur SPAK arriti të provojë përfitimin në mënyrë të paligjshme të 66 mijë metrave katror tokë në bregdetin e Lezhës, më vlerë 13 milion euro.
Sipas organit të akuzës, kjo sipërfaqe e madhe toke e cila është vënë nën sekuestro preventive është pronë shtetërore dhe është tjetërsuar përmes falsifikimit të dokumenteve të pronësisë që nga origjina e pronës deri tek certifikata e pronësisë.
“Në këtë veprimtari kriminale, personat përfitues në mënyrë të kundërligjshme të pronave kanë përfshirë edhe persona të tjerë, ndër ta persona të afërt dhe të njohur më ta, duke ja kaluar në mënyrë fiktive pasuritë dhe më pas me qëllim final për t’i kaluar në pronësinë e tyre”, thuhej në njoftimin e SPAK për dërgimin e dosjes në gjykatë në tetor 2022.
Veç ish-kryebashkiakut të Lezhës Fran Frrokaj janë marrë të pandehur edhe ish-kryetari Qarkut Gjok Ndoka, ish drejtori i Urbanistikës i Bashkisë Lezhë Sokol Toma, Bledar Cara ish-jurist pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë, Nikolin Shtjefni, Sokol Vocaj, ish-regjistrues në Kadastrën e Lezhës, Gjovalin Marku, Adiona Martini dhe Juxhina Mema, ish-zyrtar të bashkisë Lezhë, Luigj Paloka topograf dhe Altin Mlikaj, përfitues i pronave të tjetërsuara.
Kjo nuk është hera e parë që personat e mësipërm akuzohen për këtë vepër penale. Në një tjetër dosje të ngjashme janë për të njëjtat akuza, por për sipërfaqe të tjera prone u dënuan me nga 3 vite burg në tetor 2022 nga Gjykata e Apelit në Shkodër ish-kryebashkiaku Frrokaj dhe ish-kreu i këshillit të Qarkut Gjok Ndoka dhe disa persona të tjerë.