Gjykata e Posaçme nuk pranon sekuestrimin e pasurive të ish-kryegjykatësit Kushtetues, Bashkim Dedja
Knid Ndrenika
Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për sekuestrimin e pasurive të ish-kryetarit të Gjykatës Kushteteuse, Bashkim Dedja.
Gjyqtari i Posaçëm, Erjon Bani ia rikthye çështjen edhe njëherë SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme, për plotësim të hetimeve.
SPAK-u e akuzoi zotin Dedja për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rremë dhe të fshehjes.
Më 20 shtator dështoi seanca paraprake për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Seanca u shty pasi avokatët mbrojtës të ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese kërkuan kohë për t’u njohur me aktet e dosjes.